Një 30-vjeçar është arrestuar nga policia pasi plagosi me armë zjarri një 59-vjeçar në fshatit Matohasanaj të Tepelenës.

Dy barinjtë, Blerim Luzi dhe Sokrat Zeraj u konfliktuan në mal për motive të dobta.

Dhe 30-vjeçari Blerim Luzi ka qëlluar me pushkë në drejtim të 59-vjeçarit, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë:

Salla operative e Komisariatit të Policisë Tepelenë ka marrë njoftim nëpërmjet një telefonate se në malin e fshatit Matohasanaj, njësia administrative Lopës, një shtetas kishte plagosur me armë zjarri (pushkë) një shtetas tjetër (të dy barinj).

Shërbimet e Policisë kanë organizuar menjëherë, punën dhe kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të Policisë, është kapur dhe vënë në pranga shtetasi B. L., 30 vjeç, banues në fshatin Matohasanaj, pasi në malin e këtij fshati, për shkak të një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri (pushkë), shtetasin S. Z., 59 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.