Një aksident i rëndë ka ndodhur në Libi, ku tre ushtarë dhe dy përkthyes grekë kanë humbur jetën në Libi, pas një përplasje me një kamion. Ndërkohë kanë gjetur vdekjen edhe tre anëtarë të një familje libiane.
Një ekip me ushtarë grekë kishte shkuar në Libi për t’u ardhur në ndihmë banorëve pas përmbytjeve masive, por autobusi me ekipin e 19 ushtarëve u përplas me një makinë me të cilin po udhëtonte familja vendase.
Autoritetet greke thanë se një autobus me personel mjekësor u përplas me një automjet që lëvizte në drejtim të kundërt.
Si pasojë e përplasjes, mbetën të plagosur edhe 15 ushtarë të tjerë, tetë prej tyre në gjendje të rëndë. Po ashtu u plagosën rëndë edhe dy persona të tjerë që po udhëtonin me makinën me të cilën u përplas autobusi i ekipit grek.
Othman Abdeljalil, ministër i shëndetësisë në administratën që drejton lindjen e vendit, tha në një konferencë për shtyp se ekipi kishte qenë duke udhëtuar nga qyteti lindor i Bengazit kur ndodhi përplasja. Ende nuk janë bërë të ditura rrethanat në të cilat ka ndodhur aksidenti.
Libia është e ndarë midis dy qeverive rivale, një administratë e mbështetur nga OKB me bazë në kryeqytetin Tripoli dhe një autoritet rival i mbështetur nga Egjipti me bazë në Bengazi.
Mijëra njerëz u vranë kur dy diga mbi Derna u thyen gjatë një stuhie të fuqishme një javë më parë. OKB thotë se numri i të vdekurve deri më tani është rreth 11,300.
Më shumë se 10,000 të tjerë mbeten zyrtarisht të zhdukur, sipas shifrave nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.