Nga Piro Nase/

Një pikë ujë…

Gdhendi një gur ndër shekuj

Guri me të cilin krenohet Naim Kokona është një ndër 1500 objektet e ndryshme që ka ekspozuar në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Hormovë të Bashkisë Tepelenë.

Është koleksionist i pasionuar, jo profesionist. I mbledh dhe i ruan sepse mendon që historia duhet ruajtur.

I shndërruar në një muze në natyrë, oborri i Naimit të shëtit në periudha të ndryshme. Shkojmë në antikitet.

Lugina e Drinos shquhet jo vetëm për një numër të madh manastiresh, por edhe për pasurinë e objekteve, rrënojave dhe gjurmëve të vendbanimeve antike, bizantine dhe mesjetare. Disa prej të cilave i gjejmë edhe në oborrin e Naimit.

Informacioni që jep Naimi është i cunguar dhe shpesh i pasaktë, për këtë arsye ai kërkon ndihmën e specialistëve të fushës.

“Ky është një krem i përdorur gjatë luftës italo-greke. Ka shërbyer për të lyer plagët”- tregon Naimi duke iu referuar të dhënave të banorëve.

Por në të vërtetë Diadermina është krem kozmetik. Nga një kërkim i thjeshtë në Google lexojmë se në vitin 1903 vëllezërit Giovanni Battista dhe Cornelio Bonetti themeluan një kompani familjare që prodhonte produkte farmaceutike dhe të kujdesit shëndetësor në Paris, Bonetti Frères.

Në vitin 1905 lançuan Diadermina, një krem ​​me shumë përdorime, i cili menjëherë arriti sukses të madh ndërkombëtar; Me kalimin e viteve, vëllezërit Bonetti zhvilluan produkte të tjera për të njëjtën linjë, përkatësisht një skuqje, një krem ​​​​trupi, një pastë dhëmbësh dhe kremra kundër diellit.

Në fushatat reklamuese të Diadermina morën pjesë diva si Bette Davis, Olivia de Havilland, Anna Magnani.

Nga kompania Bonetti lindi Deborah, produkt kozmetik që është edhe sot në treg. Më shumë se vlerë monetare, ky produkt i ruajtur në shtëpitë e shqiptarëve të Hormovës, ka vlerë historike.

Naimi la Greqinë ku punoi për vite me radhë. Në vendlindje i vuri vetes një qëllim, të udhëtonte në të gjitha zonat përreth Hormovës e të mblidhte copëza historie me ndihmën e bashkëfshatarëve të tij.

Në muzeun e improvizuar prej tij gjen objekte të ndryshme të përdorimit të përditshëm të banorëve në periudha të ndryshme.

Një bravë dere është me vlerë për Naimin pasi i përket shtëpisë të labovitit Vangjel Zhapa, filantropi që ngriti 127 shkolla shqipe, rilindësi i Lojërave Olimpike, bamirësi që edhe pas vdekjes e dedikoi në të mirë të njerëzimit pasurinë e tij. Është një figurë ende e pazbuluar mirë në të gjitha dimensionet, ku nuk mungojnë edhe informacionet kontradiktore.

Për ata që nuk e njohin, Vangjel Zhapa lindi më 23 gusht të vitit 1800 në fshatin Labovë të Madhe ose siç njihet ndryshe Labova e Zhapës në rrethin e Gjirokastrës.

Deri në moshën 15 vjeçare qëndroi në fshat, mbaroi shkollën fillore dhe mësoi nga e ëma Sotira, nga fisi Meksi, bimët mjekësore të zonës dhe u mor me punë bujqësore. Vangjel Zhapa deri në moshën 30 vjeçare qëndroi në Janinë, duke mbaruar gjimnazin “Zosimea”, mori pjesë në ushtrinë e Ali Pashë Tepelenës dhe luftoi me heroizëm në Revolucionin Grek, për pavarësinë e shtetit helen.

I pakënaqur nga vlerësimet në ushtrinë greke, ku mori edhe pesë plagë, u detyrua të largohet në Rumani, ku fillimisht zë punë në një mulli. Ushtron mjekësinë popullore, fiton emër, shëron gangrenën e vajzës së mbretit të Rumanisë, ku përfiton shumë toka e pyje.

Rreth viteve 1835 Vangjel Zhapa studion në Paris për agronomi, shton sipërfaqet e tokave në Broshtein dhe krijon një fermë model. Bëhet aksioner me një shoqëri anglo – siriane, që zbulon naftë në tokat e tij dhe më vonë aksioner në shoqëritë e lundrimit të Rumanisë. I gjithë ky aktivitet, i siguroi pasuri të mëdha dhe i dha mundësi të bëhet një filantrop i dëgjuar në dobi të njerëzimit. Vdiq në moshën 65 vjeçare, në vitin 1865 në Broshtein të Rumanisë.

La pas testamentin për financimin e veprave sociale të vendlindjes Labovë, të bashkëfshatarëve të tij labovitë dhe të banorëve të fshatrave të Lunxhërisë, Tepelenës, Delvinës, Dropullit, Çamërisë e të tjerë. Sipas të moshuarit – studiues Vasil Pjetri, vetëm nga krahina e Lunxhërisë kanë përfituar bursa studimi 60 nxënës, nga Testamenti Zhapa; ndërsa nga Labova pothuajse të gjithë nxënësit që mbaronin shkollat në fshat. Deri në vitin 1940 këto fonde kanë ekzistuar, pastaj u ndërprenë. Prandaj për Naim Kokonën çdo objekt që ka lidhje me një njeri si Vangjel Zhapa është i çmuar.

Edhe periudha e sistemit komunist është pjesë e koleksionit të Naim Kokonës.

Radio Iliria ka qenë ndër më të pëlqyerat e kohës. Në vitin 1965, Uzina e sapo ngritur e Radio-Televizorëve në Durrës prodhimin e parë ia dedikon kësaj radioje. Boshllëqet e jetës artistike dhe marrjes së informacionit i zëvendësoi radioja. Fshehtas shqiptarët dëgjonin nëpërmjet saj edhe Sanremo-n.

Hormova ndodhet rrëzë malit të Golikut në Tepelenë së bashku me fshatrat Peshtan, Kodra e Lekli. Ky është fshat ku është shënjuar një nga ngjarjet më të rënda për shqiptarët gjatë Luftës së parë botërore. Më 27 prill 1914 bandat e ushtarëve dhe të andartëve grekë masakruan 217 burra e djem brenda ambienteve të manastirit të Shën Mërisë, mbi fshatin Kodër.

Por Hormova është edhe një ndër nga fshatrat më piktoreske në rajonin jugor të Gjirokastrës sa i përket pozicionit gjeografik natyrës dhe peizazhit që ka. Një fshat me histori të larmishme me burime të shumta ujore i cili që në mesjetë ka shërbyer si urë komunikimi dhe shkëmbimi midis njerëzve dhe kulturave.

Të gjitha këto Naimi kërkon t’i risjellë në një muze të madh me qëllim që jo vetëm njohjen e historisë dhe traditave të banorëve por edhe për të tërhequr turistë vendas e të huaj.