Trajneri Sylvinho ka ftuar 25 lojtarë për ndeshjet e muajt shtator ndaj Çekisë në Pragë dhe Polonisë në Tiranë. Lojtarët e vetëm që nuk janë të disponueshëm për këto dy ndeshje janë Armando Broja dhe Marash Kumbulla që janë të dëmtuar. Braziliani kishte mundësinë e zgjedhjes, teksa në kokën e tij e ka ka idenë e qartë se si do të luajë, diçka që e tregoi dhe në konferencën e prezantimit të listës.
Lajm i mirë është fakti se pjesa më e madhe e lojtarëve të ftuar kanë arritur që të bëjnë mirë në këtë fillim sezoni, duke marrë minuta e duke shënuar gola.
Etrit Berisha e nisi si titullar ndeshjen ndaj Juventusit, madje priti edhe një penallti, duke dhënë sinjale se është gati edhe për ekipin kombëtar. Elhan Kastrati është titullar i padiskutueshëm në skuadrën e tij, ndërsa Tomas Strakosha është i vetmi nga porta që nuk ka gjetur ende minuta këtë fillim sezoni.
Në mbrojtje gjithashtu situata duket e mirë, me Elseid Hysaj te Lazio dhe Berat Gjimshiti te Atalanta, që ishin titullar në ndeshjet e javës së tretë në Serie A, ndërsa Ardian Ismajli ka luajtur 2 nga 3 ndeshjet e këtij fillim sezoni. Ivan Balliu është titullar i padiskutueshëm tek Rayo Vallecano në Spanjë, Frederik Veseli gjithashtu ka marrë minuta të plota në 4 takimet e këtij edicioni me Fatih Karagümrük, ashtu si dhe Arlind Ajeti në Rumani tek Cluj që ka luajtur 6 takime të plota. Mario Mitaj mori minuta në Rusi me Lokomotiva e Moskës, ndërsa Enea Mihaj nuk ka gjetur ende hapësira në Portugali.
Në mesfushë po ashtu pjesa më e madhe e lojtarëve të thirrur janë titullarë në skuadrat e tyre. Ylber Ramadani ka zënë vend menjëherë në 11-shen e Leçes, Nedim Bajrami është stabil në formacionin e Sassuolos, Qazim Laçi po kalon një formë shumë të mirë në Çeki tek Sparta Prague, Keidi Bare po ashtu ka luajtur 4 ndeshje me Espanyol në ligën e dytë spanjolle.
Minuta mori tek Inter në ndeshjen e javës së tretë të Serie A edhe Kristian Asllani, i cili u aktivizua disa minuta ndaj Fiorentinës. Odise Roshi gjithashtu po luan tek Sakaryaspor, ndërsa vetëm Klaus Gjasula nuk po arrin të gjejë hapësira tek Darmstadt në Bundesligën gjermane. Lojtarët e repartit të sulmit vijnë mjaft në formë, teksa të gjithë futbollistët e ftuar në këtë fillim sezoni kanë arritur që të shënojnë ose të japin asist. Ernest Muçi është lojtari më në formë, teksa shënoi dhe dy gola me Legian dhe në ndeshjen e së dielës, duke dhënë sinjale për Çekinë e Poloninë.
Sokol Cikalleshi gjithashtu po kalon një moment të mirë, pasi ka shënuar 3 gola në 4 ndeshjet e fundit si dhe ka dhënë edhe një asist. Myrto Uzuni gjithashtu ka realizuar një gol në La Liga me Granadën, ndërkohë që është titullar i pazëvëndësueshëm,
Jasir Asani nga Korea e largët gjithashtu vjen në formë të mirë, teksa në shator ka shënuar 2 gola me ekipin e tij, ndërsa edhe Taulant Seferi në Emiratet e Bashkuara arabe po luan titullar me skuadrën e Bani Yas ku ka shënuar dhe një gol në kampionat, e një në Kupë.
Po ashtu dhe dy prurjet më të fundit, Mirlind Daku dhe Arbnor Muja janë titullarë në skuadrat e tyre respektive. Në Rusi Daku ka luajtur çdo javë nga minuta e parë me Rubin Kazan, teksa ka shënuar 2 gola e ka dhënë 1 asist, ndërkohë që Muja me belgët e Antwerp ka luajtur në 8 ndeshje në të gjitha kompeticionet dhe ka shënuar edhe një gol.
Një moment i mirë për kuqezinjtë, të cilët po shkëlqejnë në këtë fillim edicioni, por mbi të gjitha japin besim se edhe ndaj Çekisë dhe Polonisë do të arrijnë që të bëjnë mirë, për të vijuar rrugëtimin drejt Gjermanisë, e për herë të dytë Shqipëria të marrë pjesë në fazën finale të kampionatit Europian.