Roma s’po kalon një periudhë të mirë dhe humbja 4-1 me Genoan është një tregues i qartë. Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Frosinonen, trajneri Mourinho ka larguar përgjegjësinë nga vetja duke thënë se nuk është ai fajtori.
“Të dielën duhet të futemi në fushë dhe të pranojmë çfarëdo reagimi nga tifozët, edhe nëse ata na konstestojnë. Duhet t’i respektojmë dhe të japim maksimumin për t’u rikthyer te fitorja ndaj një skuadre të mirë si Frosinone. A do të rinovojë kontratën? Nuk mund të përgjigjem tani, por deri para tre muajsh kjo pyetje as nuk konsiderohej.
Pas ndeshjes në Budapest me Sevillan iu thashë lojtarëve dhe presidentit se do të qëndroja, refuzova në verë ofertën më të çmendur që kisha marrë ndonjëherë. Por, kisha bërë një premtim dhe qëndrova. Tani duket sikur jam unë problemi, por nuk është e vërtetë. Kështu deri në qershor të vitit 2024 do të jem këtu, vetëm presidenti është ai që mund të më largojë para kohe. Nuk kam frikë të futem në stadium dhe të dëgjoj vërshëllimat e tifozëve.
Këto djem janë miqtë e mi dhe unë jam miku i tyre, jemi një grup i bukur me një raport shumë të mirë. Unë ndjehem shumë mirë te Roma dhe nuk ka vend tjetër ku do të doja të punoja në këtë moment. Nga ndeshja me Frosinonen duhet të nisim dhe të fitojmë, nuk ka më justifikime” – Tha ai.