Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi është propozuar për tu zgjedhur për një mandat të dytë si kryetar i Akademisë së Shkencave së Shqipërisë.

Janë tre akademikët Nestor Thereska “Akademik Emeritus”, Arben Merkoçi “Akademik” dhe Adrian Civici “Akademik i Asociuar”, ata të cilët kanë propozuar Skënder Gjinushin për një mandat të dytë në krye të Akademisë së Shkencave.

“Propozimi ynë bëhet pasi vlerësojmë punën dhe ecurinë e bërë në këto katër vitet e drejtimit të ASH nga akademiku Gjinushi, pas kryerjes së fazës së parë të reformës dhr në përmbushje të angazhimeve të marra para Asamblesë.

Ndër të tjera çmojmë hapjen e ASH ndaj botës akademike në vend dhe në rajon, përtëritjen rradhëve të saj me antarë të rinj, krijimin e njësive të reja të kërkim studimit, rritjen e peshës dhe angazhimit në bashkëpunimet institucionale në vend, rajon dhe më gjerë, në zbatim të misionit ligjor të ASH.

Shprehim bindjen se ky proces reformimi do të vijojë edhe në mandatin e rradhës për të përmbushur detyrimet e fazës së dytë të reformës së nisur për riorganizimin e ASH me institute, si dhe për realizimin e projekteve madhore të ndërmara nga akademia jonë në fushën e albanologjisë: “Enciklopedia e shqiptarëve”, “Fjalori i madh i Gjuhës Shqipe” dhe “Historia e shqiptarëve etj. Shpresojmë që propozimi ynë të merret në konsideratë”, thuhet në letrën e propozimit.