Një skicë origjinale e Winnie the Pooh, ylli i librave dhe filmave vizatimorë për fëmijë, e cila ishte fshehur në një bodrum, e mbështjellë me një peshqir çaji dhe e harruar në pjesën e pasme të një sirtari është zbuluar së fundmi dhe do të shitet në ankand.
Sipas shtëpisë së ankandeve Dominic Winter Auctioneers, e cila është përgjegjëse për shitjen, skica bardh e zi mund të jetë kopja e fundit që ilustruesi Ernest Howard Shepard krijoi për personazhin dhe një nga dizajnet e fundit në librin e parë të Alan Alexander Milne “Winnie-the-Pooh”.
Sheppard e vizatoi imazhin në një karton të vogël 8,90 me 16,50 cm kur ishte 79 vjeç. Skica daton nga viti 1958, më shumë se tre dekada pasi libri u botua në 1926.
Në ilustrim, Winnie Pooh shkon në perëndim të diellit me mikun e tij Piglet. “Ne shohim herë pas here riprodhime të këtij dizajni të famshëm që nuk kanë asnjë vlerë komerciale, kështu që ne ishim të emocionuar që mund ta vërtetonim menjëherë dhe ta ruanim“, tha shtëpia e ankandeve në një deklaratë. Sipas Dominic Winter Auctioneers, skica vlerësohet nga 25,000 deri në 38,000 dollarë.
Skica do të shitet më 27 shtator së bashku me 400 libra, dorëshkrime dhe fotografi nga koleksioni i Bibliotekës së Fondacionit William Foyle, i cili daton në shekullin e 13-të.