Prokuroria e Posaçme ka kërkuar të thirren si dëshmitarë në procesin “Gërdeci”, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berishën dhe ish-ministrin e drejtësisë së kohës Aldo Bumçi. Përveç tyre, SPAK i kërkoi gjykatës që të japë sqarime edhe ish-ministri i Mbrojtes të asaj kohe, Fatmir Mediu.
Sipas SPAK, lista me 52 dëshmitarë u depozitua në gjykatë ku kërkohet që ata të japin sqarime në lidhje me shpërthimin e Gërdecit në vitin 2008, ku u mor si i pandehur ish ministri Fatmir Mediu. Thirrja e Berishës dhe Bumçit ka të bëjë me një shkresë të dalë në atë kohë nga ministria e Drejtësisë, ku kishte një shkrim për Shkëlzenin.
Do të shihet në seancën e sotme nëse do të pranohet lista me dëshmitarët e thirrur nga prokuroria ndërsa më herët edhe avokatët mbrojtës të Mediut kanë paraqitur pranë SPAK një listë, ku kanë kërkuar që të thirren edhe zyrtarë të lartë të ushtrisë sa i takon mënyrës së demontimit të armëve në Gërdec.
Ish-ministri, Fatmir Mediu, akuzohet nga prokuroria se ka kryer shkelje në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në Gërdec. Sipas SPAK, Mediu në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes, ka nxjerrë akte nën ligjore në kundërshtim me ligjin.
Përveç Mediut, SPAK po heton në një fraksion tjetër për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash” në lidhje me kontratat e firmosura për shitjen e municioneve. Në pyetje deri më tani janë marrë Aldo Bumçi, ish-ministër i drejtësisë së kohës dhe Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha.