Ministrja e Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali e pyetur në lidhje me hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë, ndalur te Sali Berisha tha se ish kryeministri ka shumë kusure mbi supe. Sipas saj Berisha ka dhënë sinjale frike në disa intervista të fundit ku vetëm e ka shigjetuar Prokurorinë.
“S’mund të jap gjykime apo të nxis SPAK por besoj se rekordet publike politike institucionale të Berishës janë aty. SPAK ka bërë shumë rrugë. Ka dhënë shenja të sigurta që e justifikon reformën në drejtësi dhe që po jep goditje të njëpasnjëshme pandëshkueshmërisë. Personalisht besoj që Berisha ka shumë kusure dhe mëkate në kurriz. Jo vetëm metaforike por edhe në sy të publikut. Nga Spak pritet zbardhja e tyre. Ka dhe një damkë nga aleati ynë strategjik. Tani ka lindur një lëvizje institucione për të bërë të mundur luftër kundër korrupsionit. Unë kam besim që shumë prej atyre dosjeve do ti shkohet në fund. Shenjat i ka dhënë dhe Berisha në disa intervista të tij. Të gjithë e kanë parë frikën te ai. SPAK është targeti i preferuar i Berishës, kjo ka një arsye. Duket sikur Berisha nuk gëzon dot për dënimin e zyrtarëve të korruptuar. Berisha duhet të dilte dhe të mbështeste aksione të tilla por s’e lë fakti që mund të jetë dhe ai. Fakti që SPAK po jep shenja funksionimi e dëshpëron atë”, tha ajo.