Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka takuar sot të Ngarkuarin me punë të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, z.David Wisner. Në një postim në rrjetet sociale Spiropali shkruan se gjatë këtij takimi i ka shprehur Wisner mirënjohjen për bashkëpunimin me një aleat si ShBA, ndërsa kanë kujtuar dhe ngjarjet e 11 Shtatorit.
Postimi i plotë:
Prita sot për një bisedë prezantuese dhe miqësore të Ngarkuarin me punë të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, z.David Wisner.
Rikonfirmim dhe ripohim i rëndësisë strategjike të marrëdhënieve mes Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Aleancë vlerash dhe qëllimesh të përbashkëta, në interes të dy vendeve që i lidh historia dhe i bën bashkë edhe e ardhmja.
Vlerësim dhe mirënjohje për bashkëpunimin e pakursyer në përpjekjen historike të Shqipërisë për të ndërtuar shtetin e së drejtës, për demokratizimin e vendit dhe institucioneve, reformave komplekse të ndërmarra, reformën në drejtësi, mbi të gjitha edhe luftën kundër korrupsionit, si mjetet dhe instrumentet e pandryshuara të së nesërmes më të mirë, si rrugë të vetme të evropianizimit të Shqipërisë.
Bashkëpunimi i shkëlqyer mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes, konvergim në strategjinë dhe tejkalimin e sfidave në sigurinë rajonale dhe angazhimet e Shqipërisë në NATO.
Homazh dhe kujtesë për 11 Shtatorin tragjik dhe 3000 viktimat e tij të pafajshme, mes të cilëve edhe tre shqiptarë, si një stacion historik që dëshmon nevojën e domosdoshme për ndërtimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë.
Vlerësim për kontributin e Shqipërisë në rolin e saj si e zgjedhur për herë të dytë si anëtar i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si bashkëpenëmbajtëse me SHBA për çështjen e pushtimit brutal të Ukrainës.
Mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve tanë amerikanë për zhvillimin e kapaciteteve në një sërë sektorësh me rëndësi strategjike.