Një 21-vjeçare shqiptare është dënuar me 8 muaj burg nga Gjykata Penale e Rodosit, pas sulmit që i bëri ish-partnerit të saj me bomba molotov duke i dëmtuar motorin e tij.
Sipas medias greke, ngjarja ka ndodhur më 18 shtator 2023, në shtëpinë e 26-vjeçarit në Rodos, ku e reja ka shkuar në shtëpinë e tij, e ka kërcënuar, i ka shkaktuar dëme motorit dhe më pas është larguar.
Po atë ditë 21-vjeçarja është arrestuar nga policia greke.
Ish-partneri i saj ka pohuar në gjykatë se që nga shkurti i 2023-ës ai ka dalë herë pas here me 21-vjeçaren që jeton në Rodos me babain e saj, por nuk kishin pasur një lidhje.
I riu ka zbuluar gjithashtu se në vitin 2018, 21-vjeçarja ishte shtruar në një klinikë psikiatrike dhe merrte mjekim.
Sipas deklaratës së tij, vajza me origjinë shqiptare e kishte kërcënuar gjithashtu se do t’i digjte shtëpinë dhe makinën.
Në korrik, kur ai i shprehu dëshirën për të shkëputur marrëdhënien, ajo filloi ta kërcënonte atë dhe familjen e tij. Sipas 26-vjeçarit, vajza e kërcënoi se do i digjte shtëpinë dhe makinën e tij dhe do e dërgonte në spital, nëse do e shihte me një vajzë tjetër.
Në gusht, teksa vazhdonte kërcënimet, i riu u takua me 21-vjeçaren që t’i kërkonte të ndalonte kërcënimet dhe ofendimet, por ajo e priste me një shkop në dorë dhe sapo e pa e sulmoi. Djali u shmang dhe shkopi u përplas mbi makinën.
Më 18 shtator, në mëngjes kur i riu doli nga shtëpia e të atit për të shkuar në punë, u përball me vajzën e cila filloi ta kërcënonte se do e bënte për spital dhe se do hidhte bomba molotov në shtëpinë e tij. Më pas ajo e gjuajti me shuplakë dhe e rrëzoi motorin e tij.