Presidenti i SHBA Joe Biden është zotuar t’i japë Floridas çdo mbështetje që i nevojitet për t’u rindërtuar pas shkatërrimit që përjetoi pas stuhisë tropikale Idalia. Biden i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Jill Biden, vizitoi Florinë ku të paktën dy persona kanë vdekur nga stuhia.
Ndërkohë, Guvernatori Ron DeSantis zgjodhi të mos takonte Biden në udhëtimin e tij, njëkohësisht një prej rivalëve të mundshëm të tij në garën për president në 2024. DeSantis kishte thënë më herët se prania e Biden mund të pengonte përpjekjet për reagim ndaj fatkeqësive. Biden, i cili ka folur me DeSantis disa herë këtë javë, kishte thënë se do të takoheshin personalisht.
Por, një zëdhënës i DeSantis tha të premten se guvernatori nuk kishte plane të takohej me presidentin, duke shtuar se përgatitjet e sigurisë që kërkohen për një takim të tillë do të “mbyllnin përpjekjet e vazhdueshme të rimëkëmbjes”. Biden vlerësoi DeSantis gjatë vizitës së tij të shtunën dhe tha se nuk ishte i zhgënjyer nga mungesa e guvernatorit republikan.
“Ai u ul me Fema-n (Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave) dhe vendosi se ku duhet të shkonim, ku do të kishte më pak ndërprerje”, u tha Biden gazetarëve përpara një shtëpie të dëmtuar nga stuhia në qytetin Live Oak, një nga zonat më të goditura.
Biden takoi Rick Scott, një nga dy senatorët republikanë të shtetit, dhe tha se ishte një shenjë “siguruese” që udhëheqja e shtetit dhe autoritetet federale po punonin mirë së bashku. DeSantis e kaloi ditën rreth 50 milje (80 km) në jug, duke vizituar komunitetet e vogla përgjatë bregut të Gjirit të Floridës, sipas orarit të tij zyrtar. Presidenti dhe Zonja e Parë Jill Biden takuan gjithashtu banorët e evakuuar në një shkollë fillore.
“Siç i thashë guvernatorit tuaj, nëse ka ndonjë gjë që i nevojitet shtetit tuaj, unë jam gati ta mobilizoj atë mbështetje,” tha zoti Biden në një konferencë shtypi më pas.
Idalia zbarkoi si një uragan i fuqishëm në zonën Big Bend të Floridës të mërkurën dhe është përshkruar nga zyrtarët si stuhia më e keqe që ka goditur rajonin në 100 vjet. Që atëherë, stuhia ka udhëtuar në veri, duke goditur shtetin fqinj të Xhorxhisë dhe Karolinat. Shtëpitë dhe bizneset janë përmbytur dhe energjia është ndërprerë për qindra mijëra njerëz.