Entuaziazmi i fitores me Poloninë është ende kuota të larta e kjo është e kuptueshme, sepse me këtë sukses Shqipëria ka rritur shanset për të shkuar për herë të dytë në finalet e një Europiani. Arkitekti i kësaj skuadre fituese dhe argëtuese, braziliani Sylvinho, është vënë në qendër të vëmendjes nga mediet e huaja, që po nxitojnë për ta intervistuar për të shpjeguar ecurinë e kuqezinjve, që për shumë kanë befasuar me katapultimin në vendin e parë. Trajneri i Shqipërisë ka dhënë një intervistë për një radio italiane, ku ka shpjeguar se rezultatet kanë ardhur falë punës profesionale të stafit dhe futbollistëve.
Një Shqipëri që ka bërë të ëndërrojnë të gjithë tifozët e saj, duke qenë se për ndeshjen e radhës ndaj Republikës Çeke bëhet me dije se biletat po shiten si ëmbëlsira, për shkak të entuziazmit të madh… Cila ka qenë gjëja që u ka shtyrë të bëni një rrugëtim që vlen vendin e parë në grup?
Në të vërtetë, po punojmë prej 8 muajsh dhe me shpejtësi. Kam gjetur aty një ambient shumë të mirë. Federatë dhe futbollistë shumë të fortë. Njerëz me shumë energji dhe nuk na mbetej gjë tjetër veçse të shkonim e të punonim. Kam vendosur bashkë me stafin teknik, që praktikisht të jetojmë në Tiranë. I kam thënë edhe presidentit, që unë duhet të jetoj këtu, për të nisur një punë, një rrugëtim të rëndësishëm.
Më pas, siç e thashë. Futbollistët i kemi. Futbollistë shumë të fortë dhe po punojmë për t’i dhënë energji skuadrës dhe për ta organizuar sa më mirë, në mënyrë që të marrim maksimumin nga çdo futbollist yni. Jemi duke bërë shumë mirë dhe jemi në një moment të rëndësishëm për futbollin shqiptar, por, siç e dini tashmë, mungojnë akoma edhe tri ndeshje, tri finale. Kemi bërë shumë mirë deri këtu, por duhet të bëjmë diçka më shumë edhe në ndeshjet e tjera, për t’u kualifikuar. Duke qenë se shumë futbollistë luajë në Itali, duhet të mbani një sy edhe nga Seria A, për t’i studiuar mirë ata lojtarë…
Po, e vërtetë. Çdo 15 ditë jemi atje me stafin, në Firence, Milano, kudo. Shfrytëzojmë gjithçka, takojmë lojtarët, por shijojmë edhe ushqimin dhe kafenë e mirë (qesh). Kemi shumë futbollistë në Itali, si Ismajli, Bajrami, Gjimshiti, Hysaj, Asllani, Ramadani, Kastrati, por edhe disa të tjerë të rinj, 18-19 vjeç, të cilët po i ndjekim, sepse pas pak kohësh mund të na bashkohen.
Meqë jemi te futbollistët e rinj. Është më mirë që ata të rriten në një klub të vogël, por me shumë minuta, apo si në rastin e Asllanit, që luan në një klub prestigjioz si Interi, por me një minutazh të reduktuar? I referohemi Asllanit, sepse është një nga talentet më të mëdha dhe që ndoshta do të donit që të luante më shumë…
Mendoj se është shumë bukur që futbollistët të luajnë në klube të mëdha. Megjithatë, për t’u përmirësuar është e rëndësishme të luash sa më shumë. Nuk jam në gjendje t’u them futbollistëve të mi se çfarë duhet të zgjedhin, përveç rasteve kur ata më kërkojnë një këshillë. Për të zgjedhur, ata kanë një staf të plotë, me agjenci e menaxherë, që analizojnë shumë faktorë dhe bëjnë zgjedhjen më të mirë. Jemi të kënaqur me të gjithë dhe kemi shumë futbollistë të mirë në dispozicion, por kaq, pasi nuk mund t’i këshilloj se ku duhet të luajnë. Unë mendoj se një futbollist është bukur të luajë në një klub të madh, por të ketë edhe minuta në dispozicion.
Jemi në prag të derbit të Milanos dhe ju jeni një “ish” tek Interi, që sezonin e kaluar luajti finalen e Ligës së Kampionëve, ndërsa këtë vit e ka nisur me tri fitore. Çfarë mendoni për Interin, që është në një moment historik?
Sezoni i kaluar nisi pak me vështirësi, por më pas trajneri dhe stafi kanë bërë shumë mirë, duke shkuar deri në finalen e Ligës ë Kampionëve. Gjeti një kundërshtar shumë të fortë, por luajti deri në fund dhe pati shanset për të bërë edhe më mirë. Interi është i fortë, me një trajner të madh. Futbollistët mund të bëjnë gjithçka. Janë një skuadër që mbron shumë mirë dhe më pas del shumë shpejt në sulm. Ka lojtarë që vërtet mund të vendosin një ndeshje. Është një skuadër e bukur, e ndërtuar në mënyrë shumë të zgjuar.
Çfarë momenti po përjeton kombëtarja italiane, me largimin e Mancinit dhe ardhjen e Spallettit? Si e shikon faktin që fitoi Europianin, por nuk u kualifikua në Botëror?
Unë duhet të jem i sinqertë. Që kur kam ardhur në Shqipëri, në janar, praktikisht e kam parë shumë pak Italinë. Kam vendosur të jetoj në Shqipëri dhe të ndjek të gjithë futbollistët shqiptarë kudo luajnë. Ok, erdha me shumë entuziazëm dhe kam një president që flet shumë mirë italisht, pasi unë jam tip shumë komunikues dhe nuk më pëlqen një përkthyes në mes. Por, më pas, sapo nisa punën, pashë që kemi 60-70 futbollistë shqiptarë që luajnë nëpër botë dhe duhen ndjekur.
Mancini është i shkëlqyer dhe bëri një punë fantastike në Europian, ku edhe fitoi. Më pas erdhi zhgënjimi i mungesës në Botëror. Zgjedhja personale për t’u larguar është e vështirë për t’u komentuar. Është shumë personale dhe ai i di më mirë arsyet pse vendosi të largohej. Unë jam i mendimit që një njeri duhet të dedikohet maksimalisht për sa kohë që është në një punë dhe kur largohet, nuk ka nevojë të komentojmë, por thjesht ta kujtojmë për atë që dha. Dëgjuesit po më sugjerojnë një emër, Endri Zenelaj, që luan te Cavese në Serinë D dhe që është talent me perspektivë. Nuk besoj se keni arritur t’i ndiqni deri në nivele të tilla, pasi shikoni lojtarët më të ekspozuar?
Sigurisht. Më pas është një punë tjetër që bëhet brenda Federatës në këto momente. Janë të gjithë futbollistët 18-19 vjeçarë që luajnë në Itali apo Zvicër, që ndiqen rregullisht dhe luajnë me skuadrat e moshave dhe për të ardhur me ne në një të ardhme. Kemi shumë të rinj nëpër Europë, të cilët ndiqen me interes.
Ka një premtim për Sylvinhon, në rast kualifikimi?
Unë, bashkë me stafin dhe presidentin, kemi mbetur shumë të kënaqur për ndeshjen me Poloninë, pasi fituam, bëmë një ndeshje të mirë dhe ishim në një stadium me atmosferë fantastike të krijuar nga tifozëria. Për të arritur objektivin, u kam thënë të gjithëve: Djema, kemi përpara edhe tri finale, tri ndeshje shumë të vështira dhe ne nuk mund të mendojmë se jemi kualifikuar. Grupi është i vështirë, pasi Çekia nuk ka humbur asnjë ndeshje. Kemi humbur ndeshjen e parë me Poloninë. Moldavia ka humbur këtu, por ka ende garë mes nesh. Gjithçka mund të ndodhë, ndaj duhet të shkojmë në nëntor në kushtet për t’u kualifikuar. Unë mendoj vetëm për këtë.