Trajneri i Kombëtares, Sylvinho me stafin e tij kanë udhëtuar këtë fundjavë drejt Spanjës, aty ku do ndjekin nga afër lojtarët kuqezinj. Braziliani njihet për mënyrën sesi e drejton ekipin, duke i parë nga stadiumi lojtarët që ka në listë për ftesa, apo të tjerët që janë pjesë e listës së pritjes dhe në një të ardhme do kenë shanse të veshin fanelën kuqezi.

Sylvinho sot do jetë në Madrid, aty ku në 16:15 luhet ndeshja e La Ligas mes Rayo Vallecanos dhe Mallorcas. Trajneri do shohë nga afër Ivan Balliun, mbrojtësin kuqezi që është titullar te Vallecano.

Gjithashtu trajneri do ndjekë nga afër edhe skuadrën e Espanyol, aty ku luan Keidi Bare. Veç tyre, trajneri do ketë një takim me Myrto Uzunin, sulmuesin e Granadas që u dëmtua pak ditë më parë dhe për fat nuk ka një lëndim të rëndë.

Pasi takoi nga afër Ernest Muçin në Poloni dhe Armando Brojën në Londër, trajneri po përgatit listën për lojtarët që do marrin ftesë për në 12 tetor, aty ku në Tiranë Shqipëria pret Çekinë, me ndeshjen që është si një finale për kualifikueset e Euro 2024 për grupin E.