Legia e Varshavës po fiton 1-0 me Uidzeu Lodz për javën e shtatë në raundin e shtatë të elitës së futbollit në Poloni. Vendasit gjetën golin e avantazhit në minutën e gjashtë me Ernest Muçin. Sulmuesi i Kombëtares mori një asist nga portieri i tij dhe falë shpejtësisë dhe sprintit prej 40 metrash u gjend përballë portierit kundërshtar, për t’ia lënë sferën pas shpine.

Shqiptari po tregon se e meriton fanellën e titullarit të Legia, ndërsa pas golave në Conference League shënon edhe në kampionat.

Muçi është ftuar nga trajneri Sylvinho për dy ndeshjet që Kombëtarja kuqezi luan për kualifikueset e Euro 2024 kundër Çekisë dhe Polonisë në 7 dhe 10 shtator. Veç Muçit, edhe Seferi me Cikalleshin kanë shënuar këtë javë, teksa Sylvinho ka sulmin në formë për dy përballjet deçizive.