Të paktën 100 persona kanë vdekur dhe 150 të tjerë raportohet se janë plagosur pas një zjarri që shpërtheu në një dasmë në Irakun verior.

Qindra njerëz po festonin në Al-Hamdaniya në provincën veriore Nineveh të Irakut, ne momentin që zjarri shpërtheu në vendin e ngjarjes në orët e vona të së martës, shkruan BBC.

Nuk dihet ende se çfarë e shkaktoi zjarrin, por sipas raportimeve të para thuhet se ai shpërtheu pasi u ndezën fishekzjarrë.

“Zjarri çoi në shembjen e pjesëve të sallës si rezultat i përdorimit të materialeve ndërtimi shumë të ndezshme dhe me kosto të ulët që shemben brenda pak minutash kur shpërthen zjarri”, tha drejtoria e mbrojtjes civile të Irakut, cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve INA.

Nuk ishte e qartë nëse nusja dhe dhëndri ishin mes viktimave. Raportet fillestare në mediat irakiane thanë se ata kishin vdekur nga flakët, ndërsa agjencia e lajmeve Nina më vonë raportoi se ata ishin gjallë, por po trajtoheshin për djegie. Një foto e postuar nga Nina tregonte dhjetëra zjarrfikës që po luftonin me zjarrin, dhe fotot nga gazetarët lokalë në mediat sociale tregojnë mbetjet e djegura brenda sallës së dasmave.

Dëshmitarët okularë thanë se qindra njerëz ishin atje duke festuar kur ndërtesa mori flakë rreth orës 10:45 me orën lokale.