Nga Jakin Marena/
Thellimi i humbjes në zgjedhjet e pjesëshme për kreun e bashkisë së Kukësit nga ana e opozitës tregoi se është me të vërtetë e pashpresë për të ardhur ndonjëherë në pushtet. Eshtë në kufijtë e realitetit shqiptar që të humbësh zgjedhjet e përsëritura apo të detyruara për t’u zhvilluar në mes të mandatit në një bashki, teksa pushteti qëndror dhe ai vendor është në duart e kundërshtarit politik. Mund të humbësh, por me një diferencë të vogël votash.
Por bashkia e Kukësit, që sërish u fitua nga ana e mazhorancës socialiste ka një specifikë të veçantë. Madje ka shumë specifika në këtë rast, që të gjitha ishin në favor të opozitës. Për një opozitë normale flasim. Bëhet fjalë për një zonë traditcionalisht të djathtë, e cila në shumicën e rasteve, e ka dhënë votën gjithnjë për PD dhe aleatët e saj. Madje dhe në përllogaritjet e socialistëve, kjo zonë elektorale për pushtetin qëndror, ashtu dhe si bashki për pushtetin vendor, gjithnjë në kalkulimet paraprake të rezultatit të pritshëm, llogaritej si zonë humbëse. Por socialistët ia dolën që për pushtetin vendor, nëpërmjet ish kryetarit të bashkisë Safet Gjici, njëherë e mori ‘aforfe’ pas bojkotit të zgjedhjeve të 30 qershorit të vitit 2019 dhe herën e dytë, më 14 maj 2023 e fitoi, ta prishin këtë trend duke fituar ndjeshëm garën për kreun e bashkisë. Me një diferencë prej 2 mijë votash votash në favor të kandidatit socialist më 14 maj.
Dhe pikërisht Gjici, njeriu që fitoi përballë kandidatit të Berishës dhe të Metës, nën siglën e Partisë së Lirisë, në koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’, u kthye në shansin që opozita të merrte revanshin dhe pse jo dhe të fitonte përballë kandidatit socialist në zgjedhjet e pjesëshme të 24 shtatorit, vetëm 4 muaj më pas. E themi këtë sepse të gjithë tashmë e dinë skandalin seksual të shpërthyer në zyrën e ish kreut të bashkisë, skandal që përfundoi me dorëheqjen dhe përfundimin në burg të Gjicit, dekretimit të zgjedhjeve të pjesëshme në këtë bashki dhe fillimin e fushatës, për të cilën u investua direkt kreu i “Foltores” Sali Berisha dhe aleati i tij që Berishën e ka marrë nën ‘strehën’ e PL për të garuar në zgjedhje, Ilir Meta. Në pamje të parë dukej se socialistët nuk kishin çfarë i thonin elektoratit, pasi kreu fitues i Safet Gjicit u kap me ‘presh në dorë’ teksa abuzonte me postin, seksualisht themi. Videoja e Gjicit në atë pozicion aspak komod ka bërë xhiron e rrjetit dhe është në ‘top listën’ e videove më të ndjekura nga ana e qytetarëve shqiptarë dhe më gjërë. Vdesim për një çikë skandal ne shqiptarët. Por dhe nuk ka ikur nga goja e Berishës për ditë me radhë, teksa nuk mungonte asnjëherë që të sulmonte mazhorancën dhe Edi Ramën pikërisht me këtë skandal. Pa e hequr nga goja asnjëherë.
Megjithatë PS u përgatit seriozisht për këto zgjedhje dhe për të fituar sërish. Masa e parë e socialistëve për garën në Kukës ishte zgjedhja e një kandidati që kishte qënë kundërshtar me Gjicin, Albert Halilin, ndërkohë që selia qëndrore e PS, pra kryetari Rama nuk u investua asnjë moment për fushatën e zgjedhjeve të pjesëshme në Kukës. U la vetëm ‘veterani’ Majko dhe grupi rreth kandidatit për kryetar bashkie që të zhvillonte fushatën. Nga ana tjetër opozita kishte gjithë mundësinë e Zotit të nxirrte një kandidat gjithpërfshirës, Rexhmataj kreu i PD lokale të Bashës ishte përzgjedhur me shumicë nga të gjitha rrymat dhe grupimet e demokratëve lokalë të Kukësit si alternativa më e mirë për të kandiduar ishte aty por u tërhoq sepse Berisha kërkonte të impononte kandidatit e vet Emri Vatën, përmes ‘primareve’ të fmashme, që sa herë ka votime nga ithtarët e Berishës, zgjedhin pikërisht atë që do vetë Berisha. Ndërkohë që Lulzim Basha refuzoi të vinte kandidaturë alternative, me argumentin që të mos çante votat e demokratëve, por dhe për të shmangur akuzat ndaj etij. E dinte se do kishte humbje, ndaj shmangu akuzat se ‘ndau votat për të ndihmuar Ramën’. E kishte gati alibinë Berisha.
Dhe me gjithë këtë investim të Berishës e Metës që zbritën vetë në fushatë krah kandidatit Emri Vata, duke pasur në ‘krah’ dhe skandalin seksual të Safet Gjicit, opozita jo vetëm që nuk fitoi, por e dyfishoi humbjen, duke thelluar diferencën. Mori 5 mijë vota më shumë kandidati, sot kryetar i bashkisë së PS, Albert Halilaj. Pra opozita, me gjithë këto raste rrethanore në favor, me gjithë konsumimin e pushtetit nga ana e mazhorancës socialiste, vijon të humbë vota. Dhe në Kukës, që rëndom quhet bastion i demokratëve humbi dyfishin e votave, rënie kjo vetëm në vetëm katër muaj. Imagjino ku do të katandiset në vitin 2025, kur të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, dhe ku sërish Berisha me shumë gjasa do hyjë nën siglën e Metës. Praktikisht opozita e Berishës dhe Metës është e pa shpresë, jo vetëm që s’mund të fitojë përballë Ramës, por në çdo ballafaqim zgjedhor humbet mbështetje, duke u katandisur në atë farë feje, sa dhe vetë demokratët më të thekur, kanë humbur besimin tek kjo dyshe drejtuese, e cila është e bashkuar në koalicionin “Bashkë Fitojmë”. Që realisht është kthyer ‘kokëposhtë’ tashmë, në “Bashkë Humbim”.
E kemi thënë dhe e kemi stërthënë, se sa të jetë Berisha në radhët e opozitës, me rol dominant komandues, nuk do të ketë ‘dritë në fund të tunelit’ për të djathtën dhe të gjithë opozitën në përgjithësi në Shqipëri. Pra e keqja është Sali Berisha. Dhe akoma më e vërshtirë bëhet ndalja e ‘rënies së lirë’ të opozitës, edhe pas atyre ‘bashkimeve artificiale’ dhe në ‘epruvetë’ që bëhen, përmes lojes së cic-miceve me grupin parlamentar të PD, ku Bardhi dhe disa deputetë braktisën Bashën dhe kaluan te Berisha, duke bërë dhe shumicën e deputetëve të opozitës bashkë. Roli i opozitës parlamentare në Shqipëri ka qënë në të gjitha herët i kufizuar, nuk ka ardhur në pushtet asnjë parti apo grupim politik i cili ka pasur një grup parlamentar të fortë. Fatet vendosen gjithnjë në terren, në mbështetjen e anëtarëve, simpatizantëve dhe mbi të gjitha të asaj zonës ‘gri’ të elektoratit i cili përcakton se ku shkon pushteti. Dhe Bardhi e deputetët e tjerë të PD, që pasi ecën ‘mbi tel’ për gati dy vite me radhë, e në fund iu dorëzuan vullnetit të Berishës duke shkuar tek ‘non grata’, nuk kanë vota. Ata janë të mirë për teknicialitete dhe dalje televizive, po s’kanë kokërr vote në terren. Madje e kanë alergji takimin me bazën, nuk i njeh askush andej në bazë. Aq më tepër që janë deputetë liste të PD dhe s’janë provuar drejtpërdrejt kurrë në garë. Pra Berisha dhe grupimi i tij jo vetëm që nuk e kanë joshur këtë elektorat që të jep fitoren, jo vetëm që nuk kanë krijuar besim tek ai, por kanë humbur dhe elektoratin safi të PD. Fakti që kanë humbur thellë dhe në bastionet e PD, duke filluar nga Tropoja, vijuar me Shkodrën dhe përfunduar me zgjedhjet e së dielës së kaluar në Kukës, tregon qartë se për demokratët tashmë kanë mbërritur kohët më të vështira, është në prag të mbijetesës për të mos thënë kanë mbërritur ditët e kiametit politik për ta.
Vetë fakti se për zgjedhjet e fundit të pjesëshme në Kukës, ishte kandidati i “Foltores” Vata ai që pranoi publikisht humbjen, duke deklaruar se rezultati duhet lexuar me kujdes, si dhe fakti që Berisha ende s’ka dalë për të komentuar zgjedhjet, me shumë gjasa dhe për të deklaruar atë që deklaron sa herë që humb përballë PS, tjetërsimin e votës, tregon qartë se në grupimin më të madh të opozitës nën siglën e PL e të drejtuar nga Meta e Berisha, ka rënë zia. Sepse s’kanë asnjë justifikim përballë kësaj humbjeje poshtëruese, dhe me Gjicin e skandalin e tij në ‘krah’. Për hir të së vërtetës, e keqja në këtë situatën politike për demokratët është Berisha, dhe nuk themi asnjë gjë të re, që do të ishte çlirim për këtë opozitë, që ai të largohej. Megjithëse as që ka ndërmend të ikë, pasi ka si ‘gjyle nëpër këmbë’ hallin e tij personal, shpalljen ‘non grata’, hetimet për të dhe familjen e tij nga drejtësia e re, shkaqe këto që e detyrojnë që dhe në moshën e shtyrë të pleqërisë së thellë, të dalë rrugëve, të marrë njerëzit nëpër gojë, të sulmojë kundërshtarët që i mendon se i prishin punë dhe të bëjë sikur po organizon opozitën për të ardhur në pushtet. Fiton dhe ndonjë lek për hir të së vërtetës, pasi askush nuk ka dëshirë të hyjë në gojën e tij dhe t’i merret erzi publikisht, qoftë dhe pa të drejtë. Para familjes e gjithë botës. Ndaj Berisha, me të gjitha hallet e tij personale do vijojë të jetë ‘një gjyle” nëpër këmbët e opozitës. E ka ndonjë ‘shteg’ shpëtimi për opozitën. Ka, dhe është vërtetë shumë e lehtë. Nëse askush nuk duhet të shpresojë që Berisha sa të jetë gjallë të largohet vetë nga drejtimi i grupimit më të madh demokrat, zgjidhja ideale mbetet zgjedhja e një lidershipi të ri, larg emrave të cilët e kanë katandisur PD-në në këtë ditë kiameti. Kuptohet, në krye të herës, një lidership i ri jo vetëm pa emrat e Berishës dhe Bashës brenda, por dhe jashtë ndikimit të tyre dhe në prapaskenë. Eshtë një ndërmarrje thuajse e pamundur, pasi si Berisha ashtu dhe Basha e kanë mbërthyer fort ‘copën’ e vet të PD, dhe nuk e lëshojnë veçse po t’i marrë i Plotfuqishmi në ‘amëshim’.
“Shtegu’ i dytë që mund të mbetet për të penguar ‘rënien e lirë’ të PD në katastrofë, dhe më pas për të meduar për ringritjen e saj, është zgjedhja e të keqes më të vogël. Eshtë një zgjedhje e lehtë për t’u bërë, pasi shtrohet pyetja nëse zgjidhet mes një aleance me aleatët tanë, SHBA, BE e Britaninë, apo të deklarohet gjithë partia ‘non grata’, e të orientohen drejt krijimit të një celule anti-Perëndim, pa asnjë shpersë, sot as në të ardhmen, për të qënë alternativë pushteti. Pasi e tha qartë SHBA për Bardhin e deputetët e tjerë të PD që shkuan te Berisha me justifikim bashkimin, se ata duhet shohin mirë pozicionin e tyre të rreshtimit përkraj figurave të tilla ‘non grata’. Ajo që mendojmë ne është se zgjedhje e së keqes më të vogël në kushtet në të cilat ndodhet opozita, është ‘difuzimi’ i anëtarësisë demokrate nga “Foltorja” tek PD zyrtare e drejtuar nga Basha. Të paktën do të ishin në një parti që ka orientim pro-perëndimor, mbështetet nga aleatët tanë të mëdhenj, dhe ka shpresa, sado të vogla për të qënë alternativë pushteti në të ardhmen. Me sa duket vetë bojkoti i vazhdueshëm në zgjedhje ndaj Berishës, kanë qëndruar në shtëpi pa votuar më mirë se të japin votën për “Foltoren” nën siglën e Metës, PS jo e jo që nuk ia japin votën, tregon se rruga e vetme që ka mbetur për të votuar kundër mazhorancës socialiste nga pozitat pro-perëndimore, është atashimi dalëngadalë drejt siglës së PD zyrtare. Që ndoshta dhe mund të ketë nisur, duke filluar nga ata që bojkotuan më 14 maj në të gjithë vendin.
Kjo duket si zgjidhja e vetme për PD dhe opozitën. Megjithëse Meta e ka më të lehtë të dalë më vete me Partinë e Lirisë. Fundja parti parlamentare do të jetë, ndonëse nuk do të ketë asnjëherë mundësinë e luajtjes së “King Maker”-it përcaktues për balancat e qeverisjes. Ndërkohë që dhe partitë e reja, me ndonjë përjashtim duken si zgjatime të partive të vjetra. Madje duket sikur kanë dalë prej tyre dhe komandohen prej liderëve të tyre. Do të ishim të lumtur të jemi të gabuar në këtë vlerësim, nëse liderët e këtyre partive do dilnin dhe do të denonconin me emër ‘dinozaurët’ e korrupsionit e të krimit në Shqipëri. Ata kanë emra, denoncimin e të cilëve nuk e kemi dëgjuar deri më sot prej liderëve të këtyre alternativave të reja. Eshtë folur vetëm përmes ‘kodeve’, por asnjëherë qartë, me emra dhe çështje në ngarkim të tyre. Kjo lë për të dyshuar. Në fund të herës ajo që mund të themi është se në këtë situatë në të cilën ndodhet PD e opozita, vërtetë mazhoranca e Edi Ramës po përgatitet për fitoren e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2029. Ato të vitit 2025 i ka të fituara me kohë dhe vakt. Është vetëm çështje kohe dhe procedurë, sapo të përfundojë mandati 4 vjeçar dhe të caktohet data e zgjedhjeve. Dhe deri në vitin 2029 shpresojmë se opozita ka kohën e mjaftueshme për t’u përgatitur, ndoshta jo për të fituar, por për të bërë qëndresë të fortë elektorale ndaj PS. Shpresat janë të pakta, por s’kemi nga shkojmë, këtu do jemi, këtu do presim.