Zhvillimet e tregut mediatik, por edhe problematikat e ndeshura në terren duket se kanë nxjerrë nevojën e ndryshimeve edhe të rregulloreve mbi të cilën operojnë transmetuesit audio dhe audioviziv në vend. Me qëllim rregullimin e tregut audioviziv, mbrojtjen e të drejtës së autorit dhe dhënien fund të abuzimeve, muaj më parë Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka hedhur për konsultim tek gupet e interesit – OSHMA, platforma OTT, Kabllor dhe IPTV – ndryshimet e propozuara në këto rregullore.
Siç ka bërë me dije Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, në një postim në rrjetet sociale, në përgjigje të interesit të shprehur dhe për të diskutuar mbi propozimet e tyre, sot në ambjentet e AMA-s është organizuar një tryezë konsultimi me OSHMA-të që kanë shprehur interes për projekt-ndryshimet në Rregulloren “Për kriteret dhe procedurat e dhënies së autorizimeve” si dhe “Për procedurat e inspektimit të veprimtarisë audiovizive të ofruesve të shërbimit mediatik audio dhe audioviziv”, respektivisht për disa pika të nenit 16 dhe nenit 2.
Duket se pikat e interesit për diskutim nga ana e televizioneve kanë qenë dy: ajo e zgjatjes së fashës orare të punës në mjediset ku janë të vendosura pajisjet audio dhe/ose audiovizive, në 08.00-20.00, dhe prania e një personi të autorizuar aty, si përfaqësues i operatorit që inspektohet; si dhe hapja nga ana e OSHMA-ve e nje kanali të ri, si kanal i parë në renditjen e programacionit, me logot e subjektit, datën dhe orën e transmetimit. Në këtë kanal, është e nevojshme të jenë të paraqitura të dhënat e kontaktit dhe nuk lejohet transmetim tjetër audio/audioviziv brenda kanalit.
“OSHMA-të që kishin propozime për këtë tryezë, dhanë mendimet e tyre dhe në fund është rënë dakort që ndryshimet e diskutuara dhe të pranuara të reflektohen në Rregullore” ka bërë me dijë kryetarja Krasniqi. “Kjo do të mundësojë një funksionim më të mirë të tregut duke ngritur barriera të reja për ata që thyejnë rregullat apo shkelin të drejtat e autorit në transmetimet audio dhe audiovizive”.