“Paraprijini dyndjes masive” – Këtë thirrje që ua jep në formë këshille për të përjetuar mrekullinë e turizmit në Shqipëri u bën lexuesve të saj, e përditshmja australiane “The Sydney Morning Herald”.

Kjo e përditshme e rendit Shqipërinë mes 19 destinacioneve që duhen vizituar tani, para se të përfshihen nga turizmi masiv, duke e humbur statusin e “vendeve të pazbuluara”.

“The Sydney Morning Herald” e konsideron Shqipërinë, si vend të veçantë ku gjendjen të gjitha në një, të gjitha veçoritë e mahnitshme të natyrës së fqinjëve të saj të famshëm në fushën e turizmit, Greqisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut e më tej edhe Kroacisë. Vendi ynë konsiderohet një ndërthurje e shkëlqyeshme Adriatikut dhe Jonit.

“Shqipëria është një vend me shumë pasuri natyrore, vijë bregdetare të përsosur, male të thepisur, si dhe histori antike greke dhe romake, kulturë dhe kuzhinë unike moderne” , shkruan e përditshmja e Sidnejt.

“Shqipëria ishte kryesisht e mbyllur për pjesën tjetër të botës deri në vitin 1990 dhe ka qenë e jo shumë e njohur dhe e preferuar për udhëtarët australianë, pavarësisht nga kapaciteti dhe bukuritë e pamohueshme. Megjithatë, me siguri, kjo do të ndryshojë së shpejti” – shpreh bindjen “The Sunday Mornin Herald”.

Në listën e kësaj të përditshmeje renditen edhe vende si Portugalia, Gjermania, Norvegjia, Gjeorgjia, Meksika, Kolumbia, Maroku, India apo koreja e Jugut.