Mesditën e 6 korrikut 2023 Jashar Maja dhe kushëriri i tij Bilbili provuan mbi kurriz dhunën me shkopinj gome, e bejsbolli të anëtarëve të fisit Rraja vetëm pse ishin ankuar për shpërthimet që gurorja në pronësi të tyre po u shkaktonte banesave në fshatin Borizanë të Krujës.
Dy muaj më pas Jashar Maja mëson se eksperti mjeko ligjor në akt ekspertizën e datës 24 korrik e ka etiketuar pasojat e dhunës si ‘plagosje të lehtë’.
“Jam shumë i zhgënjyer nga shteti shqiptar. Në mes të ditës e thuhet nuk është dhunë. Po të ishte në një shtet tjetër do bëhej nami. Nuk e di ku të ankohem. Me atë mjek ligjor duhet të merret SPAK” thotë Jashar Maja në një intervistë telefonike në emisionin “Përballje” nga gazetarja Besmira Pelushaj në Report Tv mesidtën e sotme.
Tregon si e mësoi konkluzionet e akt ekspertizës
“Personalisht isha në një rast vdekjeje. Familjarët më njoftuan. Më informoi edhe shefi i postës në Fushë Krujë. Kam për të shkuar të firmos akt ekspertizën, për tu njohur.
Zbulon se çfarë kishte ndodhur kur shkuan në spitalin Ushtarak të Tiranës pas dhunës së 6 korrikut.
“Vetëm një natë na kanë mbajtur. Na kanë thënë ikni. Ne nuk ecnim dot në këmbë. Bilbili iku në spital privat dhe unë kam qëndruar shtrirë. Të gjithë gazetarët e kanë parë. Dhe pas dhunës askush nuk është interesuar më për të.
“Ore nuk na ka pyetur kush, cfarë halli ke… “
Pasojat e dhunës i vuan ende dhe sot.
“Nuk e di kush është ai doktor. A ka fëmijë familje? A më ka dhimbur mua apo atij. Unë edhe sot nuk mund të udhëtoj me makinë pasi kam marrje mendsh. Ende marr ilaçe për atë punë. E di unë sa jam rrahur, çfarë kam hequr’
Sa i takon kushëririt të tij Bilbilit, thotë se është operuar në Itali ku dhe do të udhëtojë sërish nesër për të kryer një operim të dorës.
“Bilbili do të shkojë në Itali të operojë dorën, ai ka fraktura akoma. Më keq nuk ka më. Është bërë operim në Itali, ndërsa nesër e pasnesër do të operojë dorën”
Nuk beson se do të marrë drejtësi.
“Nuk besoj se do më jepet drejtësi. Çfarë verifkimi duan?! Në mes të ditës, me sende të forta, armë. Ky prokurori nuk e sheh çfarë është ajo armë apo lodër, apo duan të tallen me mua me të dëmtuarin. Më keq sa nuk ka më. Unë kam marrje mendsh. Nëse ngrihem nga krevati më merren mend”
Në fund ka dhe një mesazh për autoritetet
“Unë dua drejtësi nga shteti shqipar. Ose të thotë nuk kemi mundësi për të të mbrojtur, atëherë mbrohem vetë.
Report TV disponon akt ekspertimin e firmosur nga mjeko ligjor Elton Serani i cili lehtëson akuzat ndaj anëtarëve të fisit Rraja dhe e klasifikon ngjarjen si “plagosje të lehtë” pasi dëmtimet nuk kanë qënë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit të tyre dhe si të tilla hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve të cilat kanë sjellë për pasojë humbjen e përkohshme të aftësisë për punë në masën 9 ditë. Mjeku Elton Serani ekspertoi edhe Xhisiela Malokun në 25 korrik 2018 pas akuzave të saj për dhunë ndaj Rexhep Rrajës.
Në lidhje me dhunë janë në burg 3 persona, ndërsa 6 të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre Rexhep Rraja djali i deputetit dhe dy vëllezërit e deputetit socialist të Krujës, Flamur dhe Xhelal Rraja.