Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e krahasoi PD dhe grupimin e Berishës me një organizatë që i kanë sjellë vetëm dëme Shqipërisë. Në një intervistë për “Real Story”, Veliaj tha se PD po pëson të njëjtat fatkeqësi që i ka shkaktuar Shqipërisë dhe nuk meriton mëshirë.
“Ajo parti e familje politike e krijuar nga Sali Berisha, është organizata që i ka shkaktuar më shumë dëm Shqipërisë, ka veshur më shumë gra me të zeza, ka shkatërruar më shumë financa. Ajo është një organizatë që i ka bërë dëm Shqipërisë dhe këtu nuk bëhet fjalë për të hequr Saliun. Aty kanë qenë bashkëpunëtorë të gjithë. Edhe Luli ka qenë bashkëpunëtor me Saliun, kur u vranë njerëzit në 21 Janar. Ajo është sjellë si organizatë, por këtu nuk përfshij fare demokratët e thjeshtë, por kupolën e PD që vrau në 21 janar, edhe Saliu, edhe Lulzim Basha. Nënat tona thoshin: Kokat hëngshin! Ajo organizatë duhet të pësojë mbi lëkurën e vet, atë që pësoi lëkura e çdo shqiptari kur ajo organizatë drejtonte Shqipërinë. Njerëz që nuk ndërtojnë një shkollë, por janë gati të mbjellin përçarje kudo, s’meritojnë as mëshirë, as ndihmë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se sot Shqipëria nën lidershipin e Edi Ramës dhe të PS është në ditët më të mira.