Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj priti në takim kryetaren e re të Bashkisë së Podgoricës, Olivera Injac, me të cilën ndau disa ide për bashkëpunim në fusha të ndryshme mes dy qyteteve. Veliaj i uroi suksese në detyrën e re homologes së tij dhe shprehu nevojën për të rritur edhe më tej këtë bashkëpunim të mirë mes Tiranës dhe Podgoricës.

“Njerëzit nuk i zgjedhin dot fqinjët, por nëse do të kishim imagjinuar një fqinjësi më të mirë se Mali i Zi dhe qyteti i Podgoricës. Ju uroj shumë suksese! Mezi pres që rrugëtimi juaj në këtë mandat të ri të jetë transformues për qytetin tuaj. Podgorica dhe Tirana kanë një miqësi shumë-shumë të vjeter, ndaj besoj se detyra e gjeneratës sonë është ta kultivojmë, ta përmirësojmë dhe ta çojmë edhe më lart atë. Jam vërtet krenar! Podgorica është një qytet multi-religjioz, multi-etnik, një qytet me mendje të hapur, me zemër të hapur dhe mezi pres që kjo vizitë zyrtare të jetë fillimi i një rrugëtimi të ri për Podgoricën dhe Tiranën. Ne mund të bëjmë më shumë gjëra bashkë se sa mund të bëjmë veç e veç. Sidomos këtë vit kur Tirana është Qyteti Europian i Sportit. Vitin tjetër do të kemi presidencën e B40-ës dhe mezi pres që të kemi një marrëdhënie të gjatë dhe të fortë me Podgoricën”, tha Veliaj.

Kryetarja e Bashkisë së Potgoricës, Olivera Injac vlerësoi punën e kryebashkiakut Veliaj dhe shtoi se qyteti i saj është i interesuar të mësojë nga eksperienca e Tiranës.

“Faleminderit për ftesën i dashur koleg dhe mik! Është vërtet një nder i madh për ne sepse është vizita e parë zyrtare në rajon. Është një nder i madh të jem këtu dhe të dëgjoj për eksperiencën tuaj. Jemi vërtet mirënjohës që jeni kaq i hapur dhe që flisni me ndershmëri për mandatin tuaj paraardhës dhe sesa pengesa keni pasur. Ndaj, është një fillim i mirë për ne, shpresoj që t’i përballojmë me sukses dhe të jemi të suksesshëm në punën tonë. Shpresoj t’ju mirëpresim së shpejti në Podgoricë dhe jam e sigurt që do të kemi shumë projekte të përbashkëta në vitet e ardhshme”, tha ajo.