Festa e Verës (Hardhfest) në Rahovec të Kosovës po mirëpret për tre ditë radhazi kantinat më të mira dhe mes tyre edhe 5 nga Shqipëria.

Përveç kantinave shqiptare i pranishëm në Hardhfest ka qenë edhe kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo, i cili paralajmëroi një bashkëpunim në vazhdim me Rahovecin.

“Sot gjatë takimit në Bashkinë Rahovec, Kosovë, në pritjen e ngrohtë të rezervuar nga Kryetari i Bashkisë z.Smajl Latifi.

Diskutuam mbi mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet bashkive tona, të cilat janë të njohura për vreshtat dhe verën, dhe jemi duke shkëmbyer ide për mënyren sesi mund të bëjmë më atraktive qytetet tona nëpërmjet eventeve si Festivalet e Verës, të cilat përfshijnë edhe pjesëmarrjen e kantinave tona të verës”, shkruan kryetari i Bashkisë së Beratit në rrjete sociale shoqëruar albumit të fotove nga eventi.

Mikpritësi Smajl Latifi, kryetari i Komunës së Rahovecit përforcoi idenë e binjakëzimit mes dy qyteteve.

“Me rastin e Festës së Vjeljes së Rrushit, sot kam pritur në takim kryetarin e Bashkisë së Beratit, z. Ervin Demo, me delegacionin e tij.
E falënderova për vizitën dhe shpreha gatishmërinë për bashkëpunim dhe për mundësinë e binjakëzimit në mes të dy qyteteve, Rahovecit dhe Beratit.

Bashkë me z. Demo, në Hardh Fest po qëndrojnë edhe pesë verëtari nga Republika e Shqipërisë”, shkruan Latifi.

Ky ishte edicioni i 22-të i Hardhfest që po mbahet në datat 1-2-3 shtator, për t`ia lënë vendin më pas Beratit për festën e vet të verës në 13-14-15 tetor.

Ftesa për miqtë nga Kosova u bë edhe publikisht nga kryetari i Bashkisë së Beratit në një tjetër postim.

“Kisha kënaqësinë të isha pjesë e ceremonisë së hapjes së edicionit të 22 të @hardhfest në Rahovec së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës Znj. @vjosaosmani, Ministra të Qeverisë së Kosovës, Kryetarët e Komunave Gjakovë dhe Suarek, me të zotin e shtëpisë Kryetari i Komunës Rahovec, në një festë e cila bën bashkë kantinat më të mira përfshirë këtu edhe 5 kantina të Shqipërisë e ndër to edhe të Beratit. Në datat 13-14-15 Tetor i presim të gjithë miqtë në Berat në Festivalin e Verës e ku sigurisht mirëpresim dhe kantinat e Kosovës. Faleminderit për ftesën dhe shumë suksese në këtë edicion.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Demo dha edhe një intervistë për T7 ku zbuloi idenë interesante që Berati do vërë në jetë. Të gjithë djemtë prej Kosove që mbajnë emrin Berat dhe do vizitojnë qytetin, do të marrin një certifikatë mirënjohjeje dhe dhuratë simbolike si kujtim.