Një 61-vjeçar është arrestuar në Levan të Fierit, pasi mbante armë pa leje. Në pranga ka rënë Vladimir Mersini, i cili kishte fshehur 3 armë zjarri pistoleta, 1 armë gjahu dhe fishekë luftarak në një çantë në oborrin e banesës.

“Në vijim të punës së pandërprerë në terren, për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve që posedojnë armë, pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë siguruar informacion për një shtetas që fshihte armë zjarri dhe armë gjahu, në banesën e tij, në lagjen “1 Maji”, Levan. Në bazë të këtyre informacioneve, u finalizua operacioni policor i koduar “Sinjali”, në kuadër të të cilit u ushtruan kontrolle në banesën në pronësi të shtetasit Vladimir Mersini, dhe në territorin përreth saj.

Nga kontrollet, në një çantë të fshehur në oborrin e kësaj banese, shërbimet e Policisë gjetën 3 armë zjarri pistoleta, 1 armë gjahu dhe fishekë luftarak, të cilat posedoheshin pa leje. Armët dhe municioni luftarak u dërguan për ekspertizë, me qëllim verifikimin nëse janë përdorur ose jo, për ngjarje kriminale”, njofton policia.

Ai akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.