Selenicë, vrau babanë duke vendosur lëndë eksplozive në sobën me gaz, vihet në pranga 23-vjeçari. Mato Gllucajt iu gjetën 25 granata, 37 kallëpe tritol me peshë rreth 15 kg
‘Selenicë, Vlorë/Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, zbardhet ngjarja e ndodhur mëngjesin e djeshëm, në Selenicë, ku si pasojë e një shpërthimi, humbi jetën shtetasi D. G., 56 vjeç.
Fillimisht u dyshua se ngjarja ishte aksidentale, por hetimet e thelluara profesionale të Policisë, në drejtimin e Prokurorisë, zbardhën vendosjen e lëndës plasëse në sobën me gaz dhe identifikuan autorin e ngjarjes.
Vrau babanë e tij, duke vendosur lëndë eksplozive në sobën me gaz, vihet në pranga 23-vjeçari.
Sekuestrohen mekanizmi elektrik i përdorur për shpërthimin e lëndës plasëse, kallëpe me lëndë plasëse, granata, ndezësa granatash, armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e djeshëm, në territorin e jashtëm të banesës së shtetasit D. G., ngjarje e cila fillimisht u dyshua si aksidentale, grupi hetimor siguroi prova që krijonin dyshime se ngjarja mund të mos ishte aksidentale.
Bazuar në provat e siguruara dhe në veprimet e kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, në drejtimin e Prokuorisë, rezultoi se ngjarja nuk ishte aksidentale, por e qëllimshme.
Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, u vu në pranga autori i dyshuar, shtetasi M. G., 23 vjeç, djali i 56-vjeçarit që humbi jetën nga shpërthimi në territorin e jashtëm të banesës së tij.
23-vjeçari dyshohet se për shkak të dhunës së vazhdueshme që babai ka ushtruar ndaj tij, ka vendosur lëndë plasëse në sobën me gaz, në oborrin e banesës, nga shpërthimi i së cilës humbi jetën 56-vjeçari.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: mekanizmi elektrik me të cilin është realizuar shpërthimi, 25 granata dore difensive, 37 kallëpe me lëndë plasëse tritol (me peshë 400 gr. secila), 43 kapsolla detonatore, 5 ndezësa granatash, 1 armë zjari pushkë, 1 celular, 2 thika, 310 fishekë luftarakë, 12 krehra për armë zjarri, 2 radio marrëse-dhënëse, kapuça dhe veshje për mbulimin e fytyrës dhe mjete për punime elektrike me ngjitje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.’- njofton policia.