Televizioni i Marokut informon se numri i të vdekurve nga tërmeti me magnitudë 7 të shkallës Rihter i mbrëmjes së djeshme ka shkuar në 632 ndërsa 329 persona janë plagosur, shkruan agjencia e lajmeve Reuters, cituar nga shqiptarja.com.
Ndërtesa të shkatërruara papritur, njerëz që vrapojnë në rrugë, njerëz që gërmojnë me duar nëpër rrënoja, dhjetëra shtretër të improvizuar në shesh. Janë pamjet e videove të publikuara në Twitter menjëherë pas tërmetit shkatërrues që goditi Marokun mbrëmjen e së premtes 8 shtator, rreth orës 23:11 me orën lokale.
Instituti Kombëtar i Gjeofizikës marokene thotë se regjistroi një magnitudë 7.0 me epiqendër në komunën Ighil, në jug të qytetit turistik Marrakesh. Thellësia e tërmetit ishte 8 kilometra.
Dëmet më të mëdha janë në Marrakesh dhe në fshatrat në malet Atlas. Shumë nga viktimat, thanë autoritetet vendore, ishin në zona malore të vështira për t’u arritur ndërsa fitet për të paktën 153 të plagosur, raporton BBC.
Shumë njerëz mendohen se janë nën rrënoja dhe po vijohet me operacionet e shpëtimit.
Policia, mbrojtja civile dhe personeli mjekësor e paramjekësor janë mobilizuar për të përgatitur një plan të mundshëm emergjence.
Shumë njerëz në qytetin e Marrakeshit kanë kaluar natën jashtë nga frika e postgoditjeve.
Shërbimi Gjeologjik të SHBA-së informon se ka regjistruar tërmetin me magnitudë 6.8 të shkallës Rihter.