Policia e Shtetit vijon megaoperacionin “Tempulli”, ku së fundmi në Tiranë është vënë në pranga një 19 vjeçar i shpallur në kërkim.

Në kuadër të këtij operacioni, numri i shtetasve të ndaluar shkon në 91.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”.

Vihet në pranga një 19-vjeçar i shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni, shkon në 91 numri i shtetasve të ndaluar.

Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 10 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 3.7 kg kokainë, 150 doza heroine, 1 armë zjarri pistoletë, 12 automjete, 78 celularë, 12 peshore elektronike, 3 motomjete, 30 000 euro, 6000 paund, 4 500 000 lekë dhe 12 targa automjetesh.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se drejt Shqipërisë do të udhëtonte një shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli”, kanë koordinuar veprimet me shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas, të cilët kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat, është kapur dhe ndaluar shtetas, 19 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.