Kryeministri Edi Rama është pritur në një takim nga Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni gjatë vizitës së tij në Romë. Kreu i qeverisë shqiptare, u prit me ceremoni zyrtare ndërsa nuk ka munguar as përfaqimi mes dy homologëve.
Takimi kokë me kokë i Kryeministrit Rama dhe homologes italiane Meloni në Palazzo Chigi, u pasua nga një takim i përbashkët mes dy delegacioneve respektive.
Miqësia tradicionale Shqipëri – Itali dhe vullneti për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve, u rikonfirmua edhe në këtë takim. Forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve në fushën ekonomike, ishte një tjetër temë e diskutuar gjerësisht në takim, ku Italia si partnere strategjike e Shqipërisë, ka një rol tejet të rëndësishëm në këtë drejtim edhe përmes prezencës gjithnjë në rritje të sipërmarrjeve italiane në vendin tone.
Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua mbi mundësitë e investimit që ofron Shqipëria në shumë sektorë potenciale, si energjia, infrastruktura, bujqësia, e veçanërisht turizmi, i cili këtë vit shënoi një rekord të vërtetë rritjeje, duke u kthyer në një nga fushat më atraktive për investime.
Sa i përket integrimit europian të Shqipërisë, në takim u theksua se Italia do të vijojë të mbështesë fuqishëm procesin, në të gjitha etapat e tij, ashtu si deri më tani.
Më herët sot, në kuadër të kësaj vizite u zhvillua edhe takimi i dytë i Komitetit të Përbashkët për Investimet, Çështjet Ekonomike dhe Sociale, Shqipëri-Itali. Punimet e këtij Komiteti u fokusuan në infrastrukturë, energji dhe agroindustri.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me zv/kryeministrin dhe ministër i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, Rama konfirmoi po ashtu se marrëveshja e pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë është drejt finalizimit.
Kjo vizitë e Ramës në Itali vjen një muaj e gjysmë pasi kryeministrja italiane ishte për pushime në Vlorë në gusht. Rama pati deklaruar se gjatë diskutimeve me Melonin është folur për projektin e ujësjellësit nga Shqipëria në Pulia, që është raportuar shpesh nga mediat italiane. Po ashtu, kreu i qeverisë Rama ka deklaruar se kanë diskutuar edhe për projektin e linjës elektrike që do lidhë Italinë me Shqipërinë.