Edhe pse gjysma e muajit shtator tashmë ka kaluar dhe zyrtarisht pushimet në plazhet e jugut janë mbyllur, ka sërish turistë vendas dhe të huaj që vijojnë të qëndrojnë në Ksamil. Kjo falë edhe temperaturave të favorshme për të bërë plazh.

“Ksamili më ka pëlqyer gjithnjë, sidomos në shtator, se edh eklima është e përshtatshme për plazh. Ushqimet janë më të lira. Në këtë stinë më pëlqen më shumë plazhi”,-tha pushuesja.

Një ndër operatorët turistik në Ksamil tregon se sezoni turistik i këtij viti ishte më i miri sa I përket vizitueshmërisë. Referuar shifrave, 15 ditët e para të shtatorit, rezervimet në Ksamil ishin në masën 100%, ndërsa gjysma e dytë e muajit janë të rezervuar afro 40% e shtretërve.

“Kjo ka qenë një nga verat më të suskseshme. 15 ditëshi i parë i shtatorit ka qenë shumë mirë, kemi prenotime edhe në 15 ditshin e dytë dhe në tetor”,-tha Albert Sula, operator turistik

Ksamili konsiderohet nga operatorët si një vend me resurse të shumta për të pasur një sezon turistik më të gjatë se ai tradicional.

Temperaturat e larta, çmimet e pranueshme dhe qetësia që fal janë disa nga faktorët që po e bëjnë Ksamilin destinacionin e preferuar të pushuesve vendas e të huaj, edhe për stinën e vjeshtës.