Kategoria e Parë e futbollit në Shqipëri nisi sot sezonin 2023-24. Ndeshja hapëse në Vorë foli për vendasit, me djemtë e Artan Mërgjyshit që fituan pastër 4-2 kundër Besës së Kavajës. Miqtë verdhezinj rezistuan vetëm në pjesën e parë, ndërsa fraksioni i dytë i lojës pa Vorën që të dominonte.

Dueli u zhbllokua nga Raboshta në minutën e 27-të, me vorakët që morën avantazhin. Miqtë reaguan shpejt me Mezanin, që vetëm pas dy minutash vendosën ekuilibrat në fushë. Me pjesën e parë që u mbyll 1-1, shfaqja ishte lënë për fraksionin e dytë.

Në të 57 minutë, Qardaku riktheu në avantazh Vorën, ndërsa Xhuljo Tabaku i dërgoi shifrat në 3-1 në minutën e 61. Pas pësimit të golit të tretë Besa u duk e dorëzuar, me Vorën që gjeti edhe golin e katërt. Ishte sërish Jasmin Raboshta që në të 78 gjeti dopietën personale për t’i dhënë tri pikë djemve të Mërgjyshit në debutim. Në fund (90+3) ishte Xhabrahimi që dërgoi shifrat në 4-2.

Nisje e mirë për Vorën, që veç stadiumit të ri ka ndërtuar një grup simpatik duke dashur të jetë në garë për një vend në elitën e Shqipërisë sezonin që vjen.