Policia kroate ka arrestuar nëntë nga dhjetë huliganët e Dinamos së Zagrebit, të kërkuar për trazirat dhe vrasjen e një tifozi të AEK-ut të Athinës (Mihalis Katsouris), mbrëmjen e 7 gushtit 2023 në Greqi, me ndeshjen që vlente për play-off e Champions League.

Autoritetet policore në Zagreb organizuan një operacion të madh ku u arrestuan nëntë persona, lidhur me tragjedinë që ndodhi jashtë stadiumit të AEK-ut, “Nea Philadelphia”. Sipas gazetës kroate “Jutarnjilist”, nga dhjetë anëtarët e “Bad Blue Boys” arrestimi i të cilëve është kërkuar nga drejtësia greke me urdhër arresti evropian, për shkak të trazirave në Athinë, policia kroate arrestoi nëntë prej tyre, ndërsa një person është në kërkim.

Të gjithë u arrestuan të premten dhe fillimisht u dërguan në selinë e policisë së krimit të Departamentit të Policisë së Zagrebit dhe më pas u dërguan te mbikëqyrësi i paraburgimit në Oranice.

Siç u bë e ditur, policia nuk kishte nisur një hetim penal, por kishte vepruar sipas urdhrit europian të arrestit, duke vepruar sipas kërkesës së autoriteteve greke. Informacionet tregojnë se në listë kishte detaje dhe emra të të dhjetë tifozëve, pasi pasaportat e tyre u gjetën në makinat e sekuestruara të kroatëve.

Çfarë ndodhi në Athinë?

Incidentet e tmerrshme nisën mbrëmjen e së hënës (7 gusht) vonë kur tifozët e Dinamo Zagrebit të cilët u nisën me makina nga kryeqyteti kroat mbërritën në Neë Filadelfia. Mediat vendase thonë se bashkë me huliganët e Dinamo Zagrebit jashtë stadiumit të AEK-ut ka pasur edhe tifozë të Panathinaikos dhe së bashku kanë sulmuar tifozët e AEK-ut që ndodheshin në OPAP Arena.

Organizatorët e Dinamos së bashku me tifozët e PAO, rreth 200 persona, kanë mbërritur me shpejtësi jashtë stadiumit dhe rreth orës 23:00 kanë sulmuar tifozët e AEK-ut. Ka shpërthyer një përleshje e ashpër, me bomba molotov, shkopinj dhe sende të tjera.

Huliganët tentuan të futeshin edhe në stadium, dyert e të cilit ishin të mbyllura. Ndërkohë në stadiumin e AEK-ut kishte përfunduar stërvitja e dy skuadrave, delegacioni i Dinamos shkoi në hotel me shoqërim policie, ndërsa zyrtarët e AEK-ut mbyllën stadiumin, por shumë tifozë përfunduan në kafenetë e zonës. Njerëzit e tmerruar mbyllën dyqanet përreth Arenës OPAP për t’u mbrojtur. Për fat të keq tifozi i AEK-ut, Mihalis Katsouris mbeti i vrarë nga huliganët kroatë.