Mbretëria e Bashkuar ka vendosur që të shpallë grup terrorist, grupin mercenar rus Wagner. Kjo do të thotë se në Mbretërinë e Bashkuar do të jetë e paligjshme të jesh anëtar ose të mbështetësh këtë organizatë.

Sekretarja e Brendshme, Braverman, tha se Wagner është një “grup i dhunshëm dhe shkatërrues” teksa e cilësoi “një mjet ushtarak të Rusisë së Vladimir Putinit”. Ajo tha se aktiviteti i Wagner në Ukrainë dhe Afrikë ishte një “kërcënim për sigurinë globale”.

“Vazhdimi i aktiviteteve destabilizuese të Wagnerit vetëm sa vazhdojnë t’i shërbejnë qëllimeve politike të Kremlinit. Ata janë terroristë dhe ky urdhër ndalimi e bën të qartë në ligjin e Mbretërisë së Bashkuar”, shtoi Braverman.

Wagner ka luajtur një rol kyç në pushtimin rus të Ukrainës, si dhe në operimin në Siri dhe vende në Afrikë, duke përfshirë Libinë dhe Malin. Luftëtarët e saj janë akuzuar për një sërë krimesh duke përfshirë vrasjen dhe torturimin e qytetarëve ukrainas.

E ardhmja e Wagner u vendos në pikëpyetje në fillim të këtij viti kur udhëheqësi i tij, Yevgeny Prigozhin udhëhoqi një rebelim të dështuar kundër udhëheqësve ushtarakë të Rusisë.

Prigozhin, i cili themeloi grupin rus në vitin 2014, ndërroi jetë si pasojë e një aksidenti ajror me avion së bashku me anëtarë tjerë të Wagnerit më 23 Gusht dhe u varros në Shën Petersburg.