Politikani Fatbardh Kadilli ka komentuar ngjarjet e fundit mes dy grupimeve të PD-së ku duket se Bardhi dhe Berisha po arrijnë të kenë një marrëveshje mes tyre. Kadilli e quajti amoral bashkimin e tyre dhe shtoi se kjo lëvizje do të gëzojë Edi Ramën.

Kadilli shtoi se si Bardhi dhe Berisha kanë akuzuar rëndë njëri-tjetrin, ndaj së pari duhet të jepnin një shpjegim nëse ato akuza që “bërtisnin” më parë kanë rënë.
“Lajmi më i mirë për Edi Ramën. Doni ta gëzoni Edi Ramën, vazhdoni të mbështesni këtë bashkim amoral që nuk ka asnjë lloj kredenciali jo vetëm moral, por edhe nga aspekti njerëzor. Kur një njeri ndryshon qëndrimin politik, duhet minimalisht të japë një shpjegim. U bashkuan sot ata që u ndan para dy vitesh.
Para dy vitesh kur u ndanë kishin disa arsye politike, këto arsye politike, ranë? Nuk janë më? Këta njerëz që sot vajtën atje, në 18 dhjetor mbanin fjalime patetike, si hartime kalamajsh, si kaposhi mbi plehun kapardisej Gaz Bardhi e ca të tjerë në 18 dhjetor të 2021 duke marrë rezoluta dhe vendime të rëndësishme për të ardhmen e PD-së, kundër Berishizmit, në aleancë me partnerët ndërkombëtarë e të tjerë, ku janë këto akuza”,-tha Fatbardh Kadilli në “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania.