E re, plotë jetë dhe me një energji pozitive që e karakterizonte, YouTuberja Tiba al-Ali u bë hit me videot argëtuese për jetën e saj. Ajo e filloi kanalin e saj në këtë platformë pasi u transferua nga vendi i saj i lindjes, Iraku, në Turqi në moshën 17-vjeçare në vitin 2017, duke folur për pavarësinë e saj, të fejuarin, grimin dhe gjëra të tjera. Lumturia dhe entuziazmi i Tibas tërhoqi dhjetëra mijëra abonentë. Mirëpo, këtë janar, teksa u kthye për një vizitë në familje në Irak, e reja u vra nga babai i saj. Vrasja u konsiderua të ishte “jo e paramenduar” dhe babai i saj u dënua me vetëm gjashtë muaj burg. Vdekja e Tiba nxiti protesta në të gjithë Irakun për ligjet e tij në lidhje me të ashtuquajturat “vrasje nderi“, dhe mënyrën se si trajtohen gratë në një vend ku qëndrimet konservatore mbeten dominuese.

‘E mbytur në gjumë’

Tiba ndërtoi një platformë në internet prej më shumë se 20,000 abonentësh – një shifër që është rritur më tepër pas vdekjes së saj. Ajo postonte video çdo ditë dhe shijonte stilin e ri të jetesës që Turqia kishte ofruar për të. Në videon e saj të parë në nëntor 2021, Tiba tha se u zhvendos për të përmirësuar arsimin e saj, por zgjodhi të qëndronte sepse i pëlqente jeta atje. Sipas raportimeve, babai i saj, Tajip Ali, nuk ishte dakord me vendimin e të bijës për t’u transferuar në Turqi dhe as për t’u martuar me të fejuarin e saj të lindur në Siri, me të cilin ajo jetonte në Stamboll. Besohet se Tiba u përfshi në një mosmarrëveshje familjare kur u kthye në Irak për të vizituar shtëpinë e saj në Diëaniya në janar. Raportet thonë se Tajip Ali e mbyti të bijën në gjumë natën e Vitit të Ri dhe më pas u dorëzua në polici.

Një anëtare e qeverisë lokale ku u vra Tiba tha se babai i saj u dënua në prill me burgim të shkurtër. Pas vrasjes së Tiba, qindra gra dolën në rrugë në Irak për të protestuar kundër legjislacionit rreth “vrasjeve për nder”. Kodi Penal i Irakut e lejon “nderin” të përdoret si zbutje e dënimit për krimet e kryera kundër anëtarëve të familjes, sipas analizës së Home Office. Kodi lejon dënime të buta për “vrasje nderi” për shkak të provokimit ose nëse motivi i të akuzuarit ishte për çështje të nderit. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Irakut, gjenerali Saad Maan, i tha BBC: “Një aksident i ndodhi Tiba al-Ali. Në këndvështrimin e ligjit, është një aksident kriminal dhe në këndvështrime të tjera, është një aksident i vrasjeve për nder.”

Gjenerali Maan tha se Tiba dhe babai i saj kishin një debat të ashpër gjatë qëndrimit të saj në Irak. Ai shpjegoi gjithashtu se një ditë para vrasjes së saj, policia kishte tentuar të ndërhynte. Kur u pyet për përgjigjen e autoriteteve ndaj vrasjes, gjenerali Maan tha: “Forcat e sigurisë e trajtuan rastin me standardet më të larta të profesionalizmit dhe zbatuan ligjin. Kanë nisur një hetim paraprak dhe gjyqësor, mblodhën të gjitha provat dhe e dërguan dosjen në organet e drejtësisë për të dhënë një dënim.”

‘I rrënjosur në mizogjini’

Vrasja e Tibës dhe dënimi i butë i dhënë babait të saj, shkaktoi zemërim në mesin e grave irakiane dhe aktivistëve të të drejtave të grave në mbarë botën për mungesën e mbrojtjes nga dhuna në familje për gratë dhe vajzat sipas ligjit irakian. Për shembull, në nenin 41 të kodit penal të Irakut, “ndëshkimi i gruas nga burri i saj” dhe “disiplinimi nga prindërit… i fëmijëve nën autoritetin e tyre brenda kufijve të caktuar” konsiderohen të drejta ligjore.

Në nenin 409 ndërkaq thuhet: “Kushdo që e ‘kap mat’ gruan e tij në vepër të tradhtisë bashkëshortore ose e gjen në shtrat të dashurën e tij me dashnorin e saj dhe vret menjëherë njërin prej tyre, ose sulmon njërin prej tyre për vdekje duke e lënë përgjithmonë invalid, dënohet me paraburgim jo më shumë se tre vjet”. Aktivistja për të drejtat e grave, Dr Leyla Hussein tha për BBC: “Këto vrasje shpesh janë të rrënjosura në mizogjini dhe dëshirën për të kontrolluar trupat dhe sjelljen e grave.Përdorimi i termit “vrasje nderi” mund të jetë i dëmshëm për viktimat dhe familjet e tyre,” tha ajo.

“Kjo përforcon idenë se ata janë disi përgjegjës për vdekjet e tyre, sepse ato ja bënë vetes duke bërë diçka të gabuar ose të turpshme.” OKB-ja ka vlerësuar se 5000 gra dhe vajza në mbarë botën vriten nga anëtarët e familjes çdo vit për “vrasje nderi”.