Policia e Lushnjës ka vënë në pranga një 58-vjeçar pasi dyshohet se duke djegur mbeturinat në fshatin Zhamë të Lushnjës, janë përfshirë nga flakët edhe sipërfaqe të mëdha me ullinj dhe shkurre.

“U shoqërua dhe po kryhen veprimet e mëtjeshme hetimore procedurale për shtetasin R. Z., 58 vjeç, i cili ka ndezur zjarr për të djegur mbeturinat dhe zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke me ullinj dhe pemë të ndryshme në fshatin Zham.”- njofton policia.

Policia thotë se në vendngjarje ndodhet grupi i drejtimit të DVP Fier, shërbimet e Policisë Fier, disa grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë Fier dhe shërbimet zjarrëfikëse të cilat po punojnë për shuarjen e zjarrit. Vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të rënies së zjarrit dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të dyshuar.