Java sapo ka nisur dhe ende s`e ke vendosur se ku do ta kalosh fundjavën? Rezervoje në Berat!
Në datat 13-14-15 tetor qyteti 2500-vjeçar organizon “Wine and Stories of Berat”. Thënë ndryshe “Festën e Verës”.
Në pedonalen e qytetit janë vendosur shtëpizat, po ngrihet skena dhe gjithçka po bëhet gati për tri ditë dhe net të paharrueshme.
Ende ke dyshime?
5 arsye pse nuk duhet ta humbasësh festën “Wine and Stories of Berat”.
Kush është ai apo ajo që i thotë “Jo” një gote vere të mirë? Kantinat më me emër të qytetit, por jo vetëm, do të shërbejnë verërat e tyre.
Si për të shoqëruar verën, por edhe për të shijuar produktet e zonës, mund t`u bashkohesh tureve të degustimit.
Çfarë dëshiron? Reçel, gliko, djathra të ndryshme, fiq të thatë? Po vajin e ullirit të Beratit ka ngelur dikush pa e provuar?
Tani shtoji verës së mirë e ushqimit, jo thjesht një muzikë në sfond, por koncerte me performanca live. Në të tri datat do të ngjiten këngëtarë e DJ me emër në skenën në qendër të qytetit. Nga DJ Vicky, Rea Nuhu, Kida, Ledri Vula, tek DJ Benito, grupi Burn, Zaava dhe Offchestra. Joshëse apo jo?
5 arsye pse këtë fundjavë duhet ta rezervosh në Berat
Edhe moti do të jetë me festën. Ditët e fundjavës do të jenë me diell, netët të ngrohta dhe temperaturat deri në 26 gradë.
Të gjitha këtyre, shtoji edhe faktin që koncertet janë falas!
Merr njerëzit më të dashur dhe bashkoju festës!