14 tetori 2014 është një datë, e cila vështirë se do të harrohet për shqiptarët. 9 vjet kanë kaluar nga droni me flamurin “Autochthonous” dhe figurat e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, që u valëvitën në Beograd, në një mbrëmje që ishte gjithçka, përveçse një ndeshje e thjeshtë futbolli.

Asnjë tifoz kuqezi nuk u lejua në stadium, himni u vërshëllye deri në pikën sa të mos dëgjohej asnjë notë dhe 30 mijë serbë bërtisnin “vritini shqiptarët”. Mes ndërprerjeve për hedhjen e shisheve dhe flakadanëve ndaj futbollistëve kuqezi, ndeshja u luajt për 42 minuta, deri në shfaqjen e dronit.

Aty nisi beteja për flamurin me simbole kombëtare, me futbollistët kuqezi që u sulmuan nga tifozët të cilët mësynë në fushën e lojës. Agresioni vazhdoi edhe në momentin e hyrjes në dhomat e zhveshjes, ndërsa ndeshja, pavarësisht këmbënguljes së UEFA-s, nuk vazhdoi më.

Shqipëria refuzoi të luante në të tilla kushte, ku shumë lojtarë ishin goditur. Institucioni i drejtuar në atë kohë nga Michel Platini i dha tri pikët në tavolinë serbëve, në shkallët e disiplinës dhe apelit, me akuzën se kuqezinjtë braktisën ndeshjen, vendim i përmbysur nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.

CAS i njohu të drejtën Shqipërisë për fitoren në tavolinë, pas ngjarjeve të rënda të dhunës në Beograd. Një fitore historike, sepse ishte hera e parë që një federatë anëtare ankimonte dënimin e UEFA-s dhe fitonte betejën ligjore me konfederatën europiane të futbollit.

Ato tri pikë ndryshuan historinë e futbollit shqiptar. Të gjithë u shtrënguan rreth Kombëtares dhe fitorja kishte një rol vendimtar në kualifikimin historik të Shqipërisë në finalet e Euro 2016, e cila u formalizua me fitoren në Jerevan të Armenisë. 14 tetori 2014 mbetet një prej datave ikonike të futbollit shqiptar dhe jo vetëm.

Sot, 9 vite më pas, Shqipëria është sërish shumë pranë kualifikimit për në një Kampionat Europian. Skuadra e drejtuar nga braziliani Sylvinho dhuron spektakël dhe shënon gola të jashtëzakonshëm. Pas Francë 2016, “shqiponjat kuqezi” do të fluturojnë edhe në Gjermani 2024.