Në 92 vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh Dritëro Agollit, bashkia e Devollit ka organizuar një aktivitet në Menkulas, në fshatin ku shkrimtari lindi dhe kaloi fëmijërinë e tij.

Në këtë aktivitet u demonstrua etnofolku i zonës nëpërmjet kërcimeve, këngeve dhe veshjeve të krahinës së Devollit, ndërsa vargjet dhe poezitë e Dritëroit të kthyera në në këngë, sollën një atmosferë shumë të bukur për dhjetëra pjesmarrës.

Aktiviteti i cili siç është bërë tashmë traditë, që do të mbahej në ndërtesën ku ka lindur shkrimtari e që u projektua për të qenë shtëpi-muze, u zhvillua në një shesh në afërsi të saj, pasi në shtëpinë totalisht të rrënuar ende nuk filluar puna për rikonstruksionin.

Prefekti i qarkut të Korcës Nertil Jole vlerësoi figurën e shkrimtarit Dritëro Agolli, si poeti i njerëzve, tokës dhe dashurisë, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore, dhe shtoi se duhet të behen përpjekje më konkrete për rijetëzimin e shtëpisë ku ai lindi dhe u rrit, për ta transformuar në një muze që të jetë i aksesueshëm për vizitorët por edhe adhuruesit e shumtë të veprës së shkrimtarit.

Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare ai vlerësohet si një nga figurat qendrore të poezisë dhe një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të shkrimtarëve të brezit të viteve 1960.

Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931, në fshatin Menkulas të Devollit dhe u nda nga jeta në moshën 86 vjecare, në vitin 2017 në Tiranë.