Tensionet Bërthamore janë shtuar që nga pushtimi i Ukrainës, me Rusinë dhe fuqitë e tjera të armatosura bërthamore që thuhet se përditësojnë vendet e testimit të armëve të papërdorura. Tani, ligjvënësit rusë kanë votuar për të filluar procesin e zhbërjes së një traktati që ndalon teste të tilla. A do të shohim një rikthim të armëve më shkatërruese në botë?
Moratoriumi kundër testeve bërthamore mbështetet në një marrëveshje ndërkombëtare. Traktati i Kufizuar i Ndalimit të Testeve u firmos nga Britania e Madhe, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik në vitin 1963, duke ndaluar testimet e këtyre armëve në atmosferë, nën ujë apo në hapësirën e jashtme, por duke lejuar ato nëntokësore. Më pas, në vitin 1996, Traktati Gjithëpërfshirës i Ndalimit të Testeve Bërthamore (CTBT) i ndaloi teorikisht edhe testimet nëntokësore.
Megjithatë, CTBT është i papërfunduar. Pavarësisht se 178 shtete e kanë ratifikuar, traktati nuk do të hyjë zyrtarisht në fuqi deri sa të veprohet nga tetë vende të tjera. Kina, Egjipti, Irani, Izraeli dhe SHBA kanë firmosur, por e pa ratifikuar marrëveshjen, ndërsa India, Pakistani dhe Koreja e Veriut nuk e firmosën kurrë atë.
Pavarësisht kësaj, ndalimet e testeve bërthamore kanë rezultuar efektive. Më shumë se 2000 teste u bënë midis shpërthimit të parë të SHBA, Trinity, në vitin 1945 dhe hartimit të CTBT. Që atëherë, India dhe Pakistani kryen secila një sërë testesh në vitin 1998, dhe Koreja e Veriut është i vetmi shtet që ka testuar një armë bërthamore në shekullin e 21-të, teksa i fundit u zhvillua në 2017.
Megjithatë, pushtimi rus i Ukrainës dhe lufta e vazhdueshme mund të kenë ndryshuar pikëpamjen e saj për testimin. Rusia ratifikoi CTBT në vitin 2000, por më 17 tetor dhoma e saj e ulët parlamentare, Duma, miratoi një masë për revokimin e ratifikimit. Kryetari i Dumës Vyacheslav Volodin tha se vendimi ishte marrë për shkak se SHBA nuk e ka ratifikuar traktatin dhe “qëndrimin e papërgjegjshëm të SHBA, ndaj çështjeve të sigurisë globale”.
Lexime dhe votime të mëtejshme nevojiten për të revokuar zyrtarisht ratifikimin e traktatit nga Rusia dhe pritet që ajo të mbetet nënshkruese tij, por kjo është një tjetër shenjë se vendi mund të rifillojë testimin që përfundoi në 1990, me shpërbërjen përfundimtare të Bashkimit Sovjetik. Në muajt e fundit, Rusia ka testuar sisteme të reja të shpërndarjes bërthamore – pa koka me mbushje – dhe ka pasur zëra të spikatur brenda vendit që bëjnë thirrje për rifillimin e testeve bërthamore.
Në një fjalim të fundit, presidenti rus Vladimir Putin tha: “Si rregull, thonë ekspertët, me një armë të re, duhet të siguroheni që koka speciale do të funksionojë pa dështime.”
Të tre fuqitë kryesore bërthamore duket se po përgatiten për teste. CNN raporton se zgjerim dhe modernizim ka patur në bazën e testimit të Kinës në rajonin Xinjiang, në atë të Rusisë në një arkipelag të Oqeanit Arktik dhe në vendin e testimit të SHBA në shkretëtirën e Nevadës. Duke folur për CNN, Jeffrey Lewis, i cili punon në Institutin Middlebury të Studimeve Ndërkombëtare në Kaliforni, tha se “ka vërtet shumë tregues që sugjerojnë se Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara mund të rifillojnë testimet bërthamore”.
Edhe pse armët bërthamore janë kthyer në axhendën politike, nuk ka asnjë arsye logjike për të testuar një bombë, thotë Andrew Futter në Universitetin e Leicester. Kjo për shkak se nevoja për të testuar bie, pasi projektimet vërtetohen dhe të dhënat grumbullohen. “Teknologjia ka ndryshuar, por shkenca bazë jo,” thotë ai. Shumica e shteteve të armatosura bërthamore mund të kryejnë simulime kompjuterike për të eksploruar se çfarë do të ndodhë me projektet e reja, thotë ai.
“Problemi është që, ajo që logjika sugjeron se do të ndodhë, ndryshon ndonjëherë nga realiteti,” thotë Futter. / New Scientist – Bota.al