Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç , tha të mërkurën se Bashkimi Evropian duhet të ringjallë procesin e zgjerimit evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Duke folur në Forumin e Sigurisë në Varshavë, Poloni, Abazoviç paralajmëroi se BE-ja duhet të mbajë derën e hapur për anëtarët e rinj mes shqetësimeve të sigurisë.

“Sot kemi një situatë kur Federata Ruse bën agresion ndaj Ukrainës. E njëjta gjë mund të ndodhë nesër në Ballkanin Perëndimor”, tha Abazoviç , raporton AP, transmeton Klankosova.tv.

Gjashtë vende – Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Serbia – janë në faza të ndryshme të integrimit në bllok.

Abazoviç i tha se nëse nuk e shfrytëzojmë këtë momentum për të ndërtuar një koalicion më të fortë, në kuadër të mbrojtjes së vlerave parimore dhe universale, “mendoj se do të jemi në probleme shumë të mëdha në periudhën e ardhshme”.

“Mendoj se BE-ja duhet të ringjallë procesin e zgjerimit. Nëse BE-ja dëshiron të qëndrojë tërheqëse për anëtarët e rinj, nëse do të mbetet tërheqëse… mendoj se BE-ja duhet të marrë atë vendim për ta bërë procesin e zgjerimit të gjallë përsëri”, deklaroi kryeministri malazez.

Ai tha se BE-ja duhet të zgjerohet në Ballkanin Perëndimor, por edhe për të gjitha vendet e tjera evropiane, përfshirë Ukrainën, të cilat, tha ai, duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe në këtë kuptim të ofrojnë më shumë siguri.

“Nëse nuk e bëjmë këtë, do të japim mundësinë për ndikimin e Rusisë, për ndikimin e Kinës, ndoshta për ndikimin e palëve të treta.. dhe në fund të ditës kjo do të jetë çështja jo vetëm e sigurisë së vendeve që në këtë moment kanë statusin e kandidatit dhe nuk janë në BE, por do të jetë problem i madh për vendet që janë brenda familjes së madhe evropiane”, theksoi Abazoviç i

Në vitin 2013, Kroacia, gjithashtu një vend i Ballkanit Perëndimor, u bë anëtari më i ri i BE-së. Që atëherë, përparimi ka ngecur.

Serbia dhe Mali i Zi ishin vendet e para të Ballkanit Perëndimor që nisën negociatat e anëtarësimit, të ndjekur nga Shqipëria dhe Maqedonia vitin e kaluar. Bosnja dhe Kosova kanë filluar vetëm hapin e parë të procesit të integrimit.

Lufta në Ukrainë e ka vendosur integrimin e Ballkanit Perëndimor lart në agjendën e bllokut ndërsa BE-ja punon për të rigjallëruar procesin e saj të zgjerimit. Ukraina gjithashtu po kërkon të bashkohet me bllokun. /Klankosova.tv