Pavarësisht refuzimit të ish-kryeministrit Sali Berisha për të firmosur procesverbalin e policisë për njohjen me masën e sigurisë, Gjykata e Posaçme ka caktuar ditën e sotme për ta marrë në pyetje, si person në hetim për akuzën korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë, sa i takon çështjes së privatizimit të kompleksit sportiv Partizani.

Seanca pritet të zhvillohet sot në orën 14:00, ndërsa një ditë më parë GJKKO vendosi të lërë në burg Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Sali Berishës, si edhe detyrim paraqitjeje për ndërtuesin Fatmir Bektashi.

Ndaj ish-kryeministrit Berisha janë vendosur masat e sigurisë ‘detyrim paraqitjeje’ dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Vetë Berisha, si edhe avokati i tij Genc Gjoktuaj thotë se kjo procedurë është e jashtëligjshme dhe se është shkelur Kushtetuta nga SPAK. Policia e Shtetit ka tentuar mbrëmjen e kaluar, por edhe të shtunën, që ta njoftojë ish-kryeministrin me masën e sigurisë, por Berisha i ka shmangur.

Në dosjen “Partizani” Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi akuzohen për “korrupsion” dhe “pastrim parash”, ndërsa Sali Berisha vetëm për “korrupsion pasiv”. Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëortak në këtë shoqëri.

Ndërsa në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, Malltezi dyshohet se ka kryer pastrim të produkteve të veprës penale, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme shuma deri mbi 5 milionë euro.

Nga ana tjetër edhe Bektashi dyshohet se ka kryer korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në bashkëpunim me Malltezin, duke i dhënë atij përfitimeve të paligjshme në shuma të mëdha, me qëllimin e përbashkët për të bërë ndërtime në terrenet sportive. Ai dyshohet se në bashkëpunim me Malltezin kanë kryer pastrim të produkteve të veprës penale teksa kanë fshehur origjinën e vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të Malltezi, duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.