Ka nisur puna për asfaltimin e aksit rrugor Maliq – Lozhan – Strelcë, një aks i rëndësishëm i cili lidh zonën e Maliqit me atë të Gramshit duke i shërbyer kështu një numri të madh banorësh. Kjo rrugë, me një gjatësi prej afro 19 kilometrash, do të lehtësojë lëvizjen dhe aksesin duke shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka ndjekur nga afër punimet për ndërtimin e aksit rrugor Maliq – Lozhan – Strelcë, ku tashmë ka nisur procesi i asfaltimit.
Balluku u shpreh se ky aks do të ketë një impakt në ekonominë e zonës dhe se do të nxisë zhvillimin e bujqësisë duke afruar prodhuesit me tregjet. Gjithashtu Balluku sqaroi se projekti përfshin edhe vendosjen e elementëve urbanë, ndriçimin e trotuareve, pranë zonave të banuara.
“Kudo që investojmë, investojmë me studime të mirëfillta, jo vetëm teknike, por edhe ekonomike. Duhet thënë që ne e kemi trajtuar këtë si një zona urbane me ndriçim, me trotuar dhe gjithçka tjetër. Kjo nuk do të jetë vetëm një rrugë për të ecur automjetet, por do të jetë edhe për këmbësorët sipas të gjitha parametrave”, u shpreh Balluku duke shtuar se aks merr një rëndësi akoma dhe më të madhe pasi do të shërbejë si një alternativë për të lidhur dy qarqe”, tha ndër të tjera Balluku.