Gjykata Kushtetuese kalon për gjykim çështjen ‘Beleri’. Lajmi është konfirmuar për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala. Shqyrtimi do të bëhet në seancë plenare mbi bazë dokumentesh.
Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri ndodhet pas hekurave për blerje të votave. Ai u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, ndërkohë që ende nuk ka mundur që të betohet, pasi nuk i është dhënë leje për të dalë nga burgu.
NJOFTIMI I GJYKATES:
Ju informojmë se në Gjykatën Kushtetuese në datën 28.09.2023 është paraqitur dhe regjistruar me nr. 2 (Dh) 2023 regjistri themeltar, datë 28.09.2023 kërkesa me kërkues Dhionisios Alfred Beleri, me objekt: “Shfuqizimin si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimit nr. 00-2023-1313 (224), datë 25.07.2023 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i vendimit nr. 19, datë 01.06.2023 të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe i vendimit nr. 46, datë 22.05.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në datën 23.10.2023, bazuar në nenin 21, pika 1, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve.