Rëndësia e shkrimit të dorës po kuptohet më mirë shkencërisht. Kërkimet tregojnë përfitimet e përdorimit të letrës dhe stilolapsit.
Dy mijë e gjysmë vite më parë, Sokrati u ankua se shkrimi do t’i dëmtonte nxënësit. Duke pasur një mënyrë për të ruajtur idetë në mënyrë të përhershme dhe të jashtme, ata nuk do të kishin më nevojë të mësonin përmendësh.
Duhet të ketë qenë tunduese ta shpërfillje atë si një plak që ankohet për çdo gjë të re. Sokrati nuk kishte në dispozicion një mori kërkimesh shkencore për të argumentuar dobinë e të mësuarit të koncepteve përmendësh, shkruan The Economist.
Sot po shpërthen një debat rreth rreziqeve të një teknologjie tjetër, asaj të kompjuterëve dhe teksteve që shkruhen në to.
Ndërsa nxënësit e shkollave fillore dhe kandidatët për doktoraturë në Hemisferën e Veriut po rikthehen për një vit të ri shkollor, shumë prej tyre do të mbështeten më shumë se kurrë te kompjuterët, për të mbajtur shënime dhe për të shkruar detyra.
Disa prindër të nxënësve më të vegjël janë të shqetësuar nga fakti se fëmijëve jo thjesht u këshillohet, por u kërkohet të sjellin me vete laptopë në klasë.
Profesorët e universiteteve ankohen se studentët shpërqendrohen duke lexuar dhe duke dërguar mesazhe, në vend që të dëgjojnë leksionet.
Një sërë kërkimesh tregojnë përfitimet e një “risie” që u ka paraprirë kompjuterëve: shkrimi i dorës. Studimet kanë zbuluar se të shkruarit në letër, mund të përmirësojë gjithçka, nga kujtimi i një sërë fjalësh të rastësishme, deri te kuptimi më i mirë i ideve të ndërlikuara.
Për mësimin e materialit përmendësh, nga format e shkronjave deri te veçoritë e drejtshkrimit të gjuhës, përfitimet e përdorimit të një stilolapsi ose lapsi, qëndrojnë në mënyrën se si kujtesa motorike dhe shqisore e vendosjes së fjalëve në letër, e përforcon procesin e të mësuarit. Lëvizja e një lapsi ose stilolapsi në letër, ngulitet në kujtesën pamore. Njerëzit mund të kujtojnë një fjalë në një gjuhë të huaj, edhe nga vendi ku e kanë shkruar atë, për shembull, në pjesën e poshtme majtas të një faqeje.
Një nga përparësitë më të dukshme të shkrimit të dorës është marrja më efikase e shënimeve.
Në një studim të vitit 2014 nga Pam Mueller dhe Danny Oppenheimer, studentët që morën shënime në tastierë, shkruan pothuajse dy herë më shumë fjalë dhe më shumë citime fjalë për fjalë nga leksionet, se ata që i mbajtën shënimet me shkrim dore. Kjo tregon se studentët me kompjuterë nuk po e kuptonin mirë leksionin dhe po e kopjonin me shpejtësi materialin.
Shkrimi i dorës, i cili kërkon më shumë kohë se shtypja në tastierë, i detyron mbajtësit e shënimeve të përmbledhin idetë me fjalët e veta. Kjo e ndihmon studentin që të kuptojë më mirë atë që thuhet, pikërisht në çastin kur po e shkruan. Ata që mbajnë shënime me shkrim dore, arrijnë edhe rezultate më të mira në provime, pasi kanë studiuar shënimet e marra.
Efekti nuk ndryshoi edhe kur studentëve që shtypnin në tastierë ju kërkua ta riformulonin materialin me fjalët e tyre.
Ky udhëzim ishte “krejt i paefektshëm” në pakësimin e shënimeve të hedhura fjalë për fjalë, theksojnë kërkuesit: studentët nuk e kuptonin materialin dhe e kopjonin fjalë për fjalë.
Shumë studime të tjera kanë nxjerrë në pah përfitimet e shkrimit të dorës dhe politikëbërësit e kanë marrë këtë parasysh.
Megjithëse kurrikula “Bërthama e Përbashkët” e Amerikës nga viti 2010 nuk kërkon më udhëzime për shkrim dore pas klasës së parë (afërsisht në moshën 6-vjeçare), rreth gjysma e shteteve kanë kërkuar më shumë mësimdhënie në shkrim dore, falë fushatave nga studiuesit. Në Suedi po bëhet thirrje për të përdorur më shumë shkrimin e dorës dhe libra të shtypur dhe më pak pajisje dixhitale. Kurrikula kombëtare e Anglisë tashmë këshilllon që mësimet të merren me shkrim dore të paktën deri në moshën 7-vjeçare.
Megjithatë, disa sisteme shkollore në Amerikë kanë shkuar aq larg sa kanë ndaluar shumicën e laptopëve. Kjo është shumë e skajshme. Disa studentë kanë aftësi të kufizuara dhe e kanë të vështirë shkrimin e dorës.
Herët a vonë, pothuajse të gjithë do të kenë nevojë për aftësinë e përdorimit të tastierës. Dhe shtypja mund të përmirësojë cilësinë e të shkruarit, sepse për shembull, je në gjendje t’i hedhësh idetë shpejt, përpara se t’i harrosh. Virginia Berninger, profesoreshë e psikologjisë në Universitetin e Uashingtonit e ka përkrahur prej kohësh shkrimin e dorës.
Por nga ana tjetër, ajo thotë se ka përfitime të provuara nga tekstet e shtypura në formën e një “dorëshkrimi”, por edhe thjesht shtypja në tastierë është një praktikë e mirë për ndreqjen e shpejtë të gabimeve.
Duke qenë se me kalimin e moshës, nxënësit kalojnë më shumë kohë në pajisje elektronike, ajo propozon që herë pas here të kërkohen detyra me shkrim dore në vitet e mëvonshme të shkollës. Dhe ndoshta, edhe në moshë madhore.Përpara se të merrte penën për të shkruar versionin paraprak të këtij artikulli, gazetari i The Economist nuk kishte shkruar me shkrim dore asgjë më të gjatë se një letër, në disa dekada.
Mbetet për t’u vendosur nga lexuesit nëse forma e shkrimit ka ndikuar në nivelin e artikullit.
Nuk mund të themi me siguri nëse Sokrati kishte njëfarë të drejte për anët negative të shkrimit.
Por askush nuk do ta mbante mend këtë vërejtje, dhe as që nuk do t’i bëhej vonë, nëse studenti i tij Platoni, nuk do ta kishte shënuar për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm.