Mikpritja shqiptare është tashmë edhe një prej nxitjeve për çeljen e bizneseve të reja në fushën e turizmit nga të rinjtë, ku natyrshëm vëmendja kthehet në rëndësinë e arsimit profesional, si një mundësi e sigurt për të shndërruar të ardhmen e tyre në fushën e biznesit në një histori suksesi.

Elbasani bëri bashkë nxënës të shkollave me qëllimin që të promovojë dhe të nxisë aftësitë dhe kompetencat, në Arsimin dhe Formimin Profesional (AFP) si një rrugë tërheqëse e të nxënit dhe karrierës, duke bashkuar të gjithë palët e interesuara për të shfaqur mundësitë e AFP-së dhe praktikat më të mira frymëzuese. Qeveria Shqiptare duke e konsideruar arsimin profesional si një nga mundësitë më të rëndësishme të rinjve për tu afruar në tregun e punës ka nisur procesin e reformimit të këtij sektori që përfshinë standardet më të larta evropiane.

Festivali i Ushqimit ishte eventi ku mikpritja dhe bujqësia ishin dy fushat kryesore mbi të cilat u bazuan aktivitetet e nxënësve të ardhur nga 10 shkolla profesionale me ambicien për të nxitur konkurrencën në fushën e ushqimit, gastronomisë dhe industrisë së hotelerisë.

“Këtë vit unë isha shumë krenar që pjesën më të madhe te restoranteve e mbanin shkollat profesionale të Elbasanit dhe Qendra e Formimit Profesional të Elbasanit” – u shpreh Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, në takimin me të rinjtë pjesëmarrës, teksa falënderoi Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive një strukturë tejet e rëndësishme, e cila përfaqëson tërësinë e institucioneve administrative dhe ofruese të shërbimeve të punësimit, të vetëpunësimit dhe të arsimit e formimit profesional. “Realisht unë dua ta falënderoj dhe AKPA-ën për një reformë të madhe në fakt që ka ndërmarrë, pikërisht me qëllimin kryesor që të bëhemi gati për zhvillimin turistik që po i afrohet vendit dhe po i afrohet Shqipërisë.” – u shpreh më tej Kryebashkiaku Llatja.

Përveçse një qytet i përmendur për artin e kulinarisë, Elbasani është qyteti ku të rinjtë, duket se e kanë kuptuar më së miri rëndësinë e arsimit profesional, pasi numri i regjistrimeve në këto shkolla është rritur. “Elbasani është kampion i ushqimit dhe ky festival midis 10 shkollave profesionale, ky konkurs i aftësive duhet të zhvillohet në Elbasan dhe doja ta falënderoja sërish kryetarin për gjithë mbështetjen që i ka dhënë shkollës profesionale në Elbasan dhe kjo shkollë, është një nga shkollat që na bën krenarë për pjesën e drejtimit të kuzhinës, restorantit, po edhe të drejtimeve të tjera që lidhen me mekanikën, elektronikën dhe është një nga ato shkolla, e cila në qytetin e Elbasanit ka pasur një rritje të numrit të regjistrimeve” – u shpreh Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive Klevis Hysa.

Organizimi nxiti dukshëm konkurrencën mes të rinjve, për të qenë më të mirët në vënien në jetë të dijeve sot dhe për të patur një sukses të garantuar në tregun e vërtetë nesër. Çdo ekip po mbikëqyret nga një shef kuzhine, ndërsa ekspertë të fushave janë pjesë e një jurie që do të shpërblejë ekipin më të mirë. Bizneset dhe prindërit janë gjithashtu pjesë e ekipeve të testimit ku ekipi fitues do të marrë një çmim.
Aktivitet e Javës Europiane të Aftësive synojnë ndër të tjera të informojnë qytetarët për të kuptuar më mirë sfidat dhe mundësitë e tregut të punës, si dhe mënyrat si të zhvillojnë kompetencat e nevojshme për të qëndruar konkurrues në një treg pune të ndryshueshëm dhe të shpejtë.

Dita e sotme është vetëm starti, i një jave të mbushur me evente, të cilat kanë qëllim të nxisin arsimin dhe zhvillimin e aftësive nëpërmjet veprimtarive të ndryshme, duke përfshirë seminare, workshop-e, dhe aktivitete të tjera edukative.
Java Evropiane e Aftësive synon ndër të tjera të ndihmojë në përmirësimin e mundësive për punësim, duke përfshirë promovimin e trajnimeve dhe shkollimit të vazhdueshëm, si dhe dhënien e ndihmesës për të gjetur punë dhe karrierë të përshtatshme. Aktivitetet do të nxisin gjithashtu bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e arsimit dhe zhvillimit të aftësive, duke përfshirë shkëmbimin e përvojave dhe njohurive me partnerë të tjerë ndërkombëtarë.