Nga Alban Daci/

Enver Hoxha, i bombardoi vazhdimisht shqiptarët me propagandë e cila u ofrohej si formë edukimi shkollor përmes programeve arsimore që kishin për qëllim tu bënin lavash truri shqiptarëve duke e lartësuar figurën e tij në dimensionet e Zotit dhe njeriu që garanton ekzistencën e tyre, por në fakt edhe stili i jetës që diktonte ishte i mbushur me elementë të fortë propagande.

Ai në fakt deri diku, nën trysninë e dhunës, frikës dhe histerisë së turmës ja doli që të krijonte shqiptarin e ri. Figura e Hoxhës u bë në dimensionet e adhurimit dhe të pazëvendësueshmërisë dhe Partia ishte simboli i një familje të madhe kolektive ku realitetet e vërteta familjare që për nga rëndësia ishin në rendin e dytë dhe në shërbim të plotë të parës.

Me rrëzimin e Regjimit, në fakt shqiptarët duhet të kishin rrëzuar ndër të tjera edhe mitin dhe idhullin ndaj liderit, por jo vetëm që nuk e bënë, por e forcuan edhe më shumë. Shqiptarët, pas rrëzimit të Regjimit, parimisht vazhduan të njëjtën linjë, por duke ndryshuar elementët ekuacionit, që nuk ishte më “Lideri+Partia= Njeriu i ri”, por “Lideri+Paraja= Pushteti”. Me të njëjtën formë ekuacioni, por me ndryshore të reja, shqiptarët vazhduan për 30 vjet duke pranuar nën shtrimin që në pamje të parë dukej vullnetar, por në fakt kishte të bënte me faktin se ishte forma e vetme për të bërë sukses, pasuruar apo për të qenë njeri me pushtet.

Ky ekuacion u është ngulitur aq thellë në mendje shqiptarëve nëse ju heqim atyre ndryshoren “Lider”, atë që e kanë ndjekur dhe i kanë besuar pa rezerva, janë thuajse të bindur se vdes edhe historia, ose më mirë arsye përse duhet të vazhdojë jeta me një boshllik të tillë të madhe shpirtëror. Ideja apo bindja se pa “Liderin” tonë, ne nuk kemi të ardhme dhe vetë jeta nuk ka garanci për të vazhduar në rrjedhën e historisë është bërë pjesë e vazhdueshme e propagandës tek shqiptarët e sidomos në dy vitet e fundit.

Në fakt, “Lideri” si qenie njerëzore, ka një lindje, ngritje dhe një rënie e po ashtu edhe një fund të pranisë fizike mes ithtarëve të tij, por ajo që mund të mbetet është hija e tij, historiku i tij i shkruar nga bëmat që ai ka bërë e ka lënë mbrapa. Largimi i një “lideri” kushdo qoftë ai sigurisht nuk shënon fundin e historisë e as nuk ndalon jetën që të rrjedhë natyrshëm në rrugët e historisë.

Mjafton që shqiptarët të shikojnë të kaluarën apo vetë historinë për të kuptuar, se ka pasur raste kur janë larguar edhe lider që kanë mëshiruar me të vërtetë Kombin si Skënderbeu dhe jeta jonë, ndoshta me problematika e sfida të reja ka vazhduar të rrjedhë në rrugën e historisë jetësore. Madje, edhe ideja e shumicës se Enver Hoxha nuk do të vdiste e nëse do të ndodhte do të shënonte dhe “fundin” e të gjithëve, në fakt ai vdiq dhe shqiptarët vazhduan të jetojnë edhe në sfidat e tyre imagjinare në përpjekje për të krijuar një demokraci që e kishim humbur që nga koha e vdekjes se Skënderbeut.

Shqiptarët, nuk duhet të shqetësohet nëse ndonjë lider nuk mund të jetë më lider, ky është proces normal i jetës njerëzore. Madje, ndonjëherë vdekja politike apo edhe ajo fizike janë format më të mira që Zoti ka krijuar dhe imagjinoni për pak sikur tiranët më të mëdhenj të Botës të ishin të pa vdekur sesi do të ishte Bota dhe jeta jonë sot?! Sigurisht e ngjashme me atë të Ferrit ose edhe më keq! Në jetën dhe në historinë tonë, shumë lider kanë ardhur, po aq shumë janë larguar dhe historia ka shkruar e ka dëshmuar bëmat e tyre.