“Asi në mëngë” i Hamasit në rast se Izraeli sulmon Gazën, është një qytet nëntokësor, 40 metra nën sipërfaqen e tokës. Në qytetin me popullsi të dendur të Gazës, ekziston një tjetër qytet nëntokësor me tunele, i ashtuquajturi “Gaza Metro”. Tunelet e krijuara nga Hamasi, nisin nga territori i Gazës dhe arrijnë deri në Egjipt.

Sipas analistëve ushtarakë, sulmi tokësor që pritet të nisë Izraeli ka karakteristikën e një kërcënimi asimetrik, për shkak të tuneleve të gjera që ekzistojnë nën Rripin e Gazës. Kjo pasi forcat izraelite ka të ngjarë të “bien” në një pritë të luftëtarëve të Hamasit në çdo moment për shkak të tuneleve ekzistuese.

Gjithashtu mendohet se pengjet izraelitë të rrëmbyer të jenë çuar pikërisht në këto tunele dhe kështu ka gjasa që edhe këto të fundit të jenë në rrezik.

Pasazhet nëntokësore në Gaza janë vende për depo armësh, për strehimin e luftëtarëve palestinezë dhe ndoshta pengjeve izraelite. Disa u shkatërruan, por më pas u rindërtuan me kalimin e kohës.

Rrjeti i kalimeve dhe tuneleve nëntokësore përshkon Rripin e Gazës, Izraelin dhe Egjiptin, të cilat përdoren gjithashtu si korridore të vërteta sekrete.
Aty gjenden armatim i rëndë, duke përfshirë armë, raketa dhe shumë municione.

Këtë e vërtetoi sulmi i befasishëm i së shtunës, më 7 tetor, në orët e para të mëngjesit në tokën izraelite nga mijëra terroristë të Hamasit. Terroristët e organizatës sunite palestineze kaluan me lehtësi tunelin.

Dhe ndërsa ushtria izraelite përgatitet për një ofensivë të madhe në Rripin e Gazës, rrjeti nëntokësor mund të dëmtojë seriozisht trupat e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit.