Pas deklaratës për media të avokatit të Sali Berishës, Genc Gjokutaj, ka reaguar edhe GJKKO e cila thotë se ende nuk është dorëzuar një kërkesë për përjashtimin e gjyqtares.

“Nuk kanë paraqitur kërkesë për përjashtim në k/sekretari, por verbalisht kanë parashtruar se do të paraqesin kërkese për përjashtim. Deri ne këto momente ende nuk është regjistruar një kërkese e tillë”,-Zyra e shtypit në GJKKO. Kujtojmë se më herët gjatë ditës së sotme, avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj, tha në një deklaratë për mediat se kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.

Ai u shpreh se kjo kërkesë është depozituar.

“Kemi depozituar një kallëzim në SPAK për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe kemi kërkuar përjashtimin e saj nga shqyrtimi i çështjes. Gjykimi është ndërprerë për t’u shqyrtuar kjo kërkesë sepse ju e dini se pas kërkesës për përjashtim gjyqtarët nuk mund të vazhdojnë më seancën e gjykimit dhe po presim për vendimin e shqyrtimit të kërkesës për përjashtim të saj.

Ne nuk vijmë këtu që të na jepen 2-3 orë e të lexojmë 20 mijë faqe. Ne jemi për një proces të rregullt, për një mbrojtje efektive, kështu që ne do të presim njëherë vendimin e gjykatës dhe pastaj edhe procesin me njohjen, por do të jemi në kontakt,” – tha Gjokutaj.