Tetë punonjës policie janë proceduar penalisht në 48 orët e fundit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi se policët e proceduar, kanë “mbyllur sytë’ ndaj kriminelëve, apo edhe kanë bashkëpunuar me ta.
Balla u shpreh se vijon intensivisht goditja e grupeve kriminale, por edhe procesi i vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit.
“Vijon intensivisht goditja e grupeve kriminale, por edhe procesi i vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit. Vetëm në 48 orët e fundit janë 8 punonjës policie të proceduar penalisht, për “mbyllje sysh” apo më keq akoma bashkëpunim me keqbërësit.
Forcimi i bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit, Prokurorisë, SPAK, Shërbimit Informativ dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizatës së Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit”, shkruan Balla në Facebook