Pas ristrukturimit të strukturave drejtuesve të Policisë në Mirditë, pasojë e ngjarjeve të fundit ndodhur në këtë qytet, ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku zhvilluan një takimin me punonjës të Komisariatit. Balla kërkoi rritje të kontrolleve në territor, duke e konsideruar flagrant anashkalimin e ligjit dhe rolin e policisë në ngjarjen e fundit në qendër të Rrëshenit.
“Duhet ta garantoj popullin e nderuar të kësaj bashkie dhe të këtij qyteti, të Rrëshenit, i cili edhe në vite të vështira si viti 1997, ka dëshmuar qytetari, vetëpërmbajtje, besim te ligji dhe te shteti, ne duhet që të garantojmë që jeta e çdo qytetari dhe çdo banori të jetë e sigurt”, tha ministri. Sipas Ballës, do të ketë prezencë të shtuar të Policisë së Shtetit në Rrëshen, në mënyrë që të përmbushet ky angazhim. Ministri gjithashtu informoi rritje page për punonjësit e Policisë në vitin 2024. “Shpresoj shumë që me buxhetin e ri të vitit 2024, të mundësojmë një rritje të konsiderueshme të pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit. Jam shumë i bindur që me këtë prezencë të rinjsh në këtë komisariat, me djem e vajza që kanë marrë përsipër, pa i hequr asnjë vlerë atyre që janë pak në moshë, të bëjmë ndryshimin që mezi pret populli i Mirditës. Kushdo nga ju që do ta bëjë detyrën si duhet, të jeni të sigurt që do të marrë vlerësimin tim maksimal. Por kush nga ju do vazhdojë me modelin e vjetër të mbylljes së syrit apo të veshëve, të kthimit të kokës nga krahu tjetër kur në krahun tjetër të rrugës ndodh një problematikë apo shfaqet një ‘i fortë’, duhet ta ndajë mendjen mirë dhe të na japë dorën sot, e të ikë. O do i shkojmë kësaj gjëje bashkë deri në fund, ose kush nuk ka dëshirë, le ta lërë që sot”, nënvizoi Balla.
Fjala e plotë e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla:
Bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm dhe drejtues të tjerë jemi sot këtu, pasi Drejtori i Përgjithshëm ka bërë një ri-ngritje nga fillimi, të komisariatit të policisë së Mirditës. Po ashtu dhe unë i bashkohem besimit që Drejtori ka te drejtuesit e rinj, qoftë në nivelin e komisariatit Mirditë, por edhe ndryshimet që janë bërë në pjesën drejtuese të Drejtorisë së Policisë së qarkut Lezhë për të rritur pikërisht efikasitetin. Jam shumë i shqetësuar nga problematikat që kanë ekzistuar ndër vite në Mirditë. Të paktën në 20 vitet e fundit. Bëhet fjalë për një sërë ngjarjesh kriminale, të cilat nuk janë zbuluar. Nga informacioni që unë kam, ky Komisariat Policie ka të evidentuara 88 familje të prekura nga fenomeni i gjakmarrjes që është një numër i madh dhe që natyrshëm e vendos Policinë, por bashkë me policinë, edhe drejtësinë, në një përgjegjësi më të madhe. Dhe këtu nuk shtohen ngjarjet kriminale, të cilat ende nuk janë evidentuar si ngjarje me bazë të krijuar për shkak të fenomenit të gjakmarrjes. Pra mund të shkojmë përtej këtij numri që unë kam këtu përpara. Kështu që në këtë aspekt shtuar dhe faktin që nga komisariati i policisë Mirditë, gjatë vitit 2023, janë evidentuar 38 vepra penale, ndër to vetëm 21 ose 55% janë të zbuluara. Kjo ka çuar në vendimmarrjen e fortë të Drejtorit të Përgjithshëm mbështetur prej meje, për të sjellë këtu një ekip krejtësisht të ri. Në fakt edhe nga çfarë shoh vetë personalisht, besoj e dini që kam vendosur të shkoj pothuajse në të gjitha komisariatet e vendit, pasi në fazën e parë, u takova në të gjitha drejtoritë vendore, për t’i parë vetë të gjithë djemtë dhe vajzat, që kanë vendosur të bëjnë këtë detyrë të rëndësishme të anëtarit të organizatës së Policisë së Shtetit. Dhe dua që t’i jap më shumë zë asaj që e kam thënë kudo. Qytete të vogla si Rrësheni, Rubiku, bashki të vogla si Mirdita, por në të gjithë Shqipërinë, nuk duhet të ekzistojë më askush që nuk kontrollohet, që nuk verifikohet, që nuk ndalohet. Ne e quajmë fenomeni i të ‘fortëve’, por ky fenomen duhet të marrë fund. Rasti i Rrëshenit është një prej rasteve flagrante të anashkalimit që i bëhet ligjit dhe rolit të Policisë se Shtetit. E keni parasysh që në rast se njëri prej jush mbyll sytë në momentin që në një lokal, në një rrugë, në një makinë fshihet një armë, ajo armë mund të jetë burimi dhe arsyeja e një ngjarjeje të rëndë kriminale. Prandaj na duhet domosdoshmërisht që ne të rrisim kontrollin.
E përshëndes dhe e përgëzoj angazhimin personal të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, për të qenë më shumë prezent brenda kësaj jave dy herë, në këtë bashki, në mënyrë që ne të arrijmë të realizojmë dhe operacione parandaluese, sikurse ishin kontrollet e mbështetura dhe nga drejtësia, në mënyrë që ne të parandalojmë ngjarjet kriminale. Ndërkohë që duhet ta garantoj dhe popullin e nderuar të kësaj bashkie dhe të këtij qyteti, të Rrëshenit, i cili edhe në vite të vështira si viti 1997, ka dëshmuar qytetari, vetëpërmbajtje, besim te ligji dhe te shteti, ne duhet që të garantojmë që jeta e çdo qytetari dhe çdo banori të jetë e sigurt. Dhe duhet po ashtu t’i garantojmë që të gjitha krimet e ndodhura, jo së fundmi, po në shumë vite, sepse për një prej ngjarjeve, apo shumë ngjarjeve, që lidhen, apo një prej konflikteve që ka ndodhur këtu, është një konflikt që vazhdon prej shumë vitesh, që ka sjellë për pasojë shumë jetë të humbura dhe që drejtësia dhe policia kanë dështuar për t’i evidentuar në kuptimin edhe të dokumentimit të autorëve dhe vendosjen para drejtësisë. Flas këtu për vepra kriminale të ndodhura që nga viti 2005 e këtej dhe që arsyeja pse kjo vazhdon të ndodhë, është se ne s’kemi bërë punën tonë. Dhe këtu marr përgjegjësinë edhe të qeverive që kanë qenë, në 2005, 2009, 2013, nuk ka rëndësi. Nuk jam këtu për të bërë dallime se për mua Policia e Shtetit është një, të paktën nga 1991 e këtej. Unë jam Ministër i Brendshëm i këtij vendi dhe ky zotëria këtu është Drejtor i Përgjithshëm. Prandaj duhet t’i marrim të gjitha me radhë. Sektori i Policisë Kriminale duhet të merret ekskluzivisht, por të mbështetur nga Drejtoria dhe natyrshëm edhe nga një ekip, që ka ngritur Drejtori i Përgjithshëm për t’i evidentuar. Unë kam shumë besim që në rast se arrijmë të thyejmë një, dy, tre raste, pastaj do t’i zbërthejmë të gjitha rastet me radhë. Përveç pjesës që sapo përmenda, siç e tha Drejtori i Qarkut, siç e tha Drejtori i Përgjithshëm, unë jam këtu edhe për elementë të tjerë të sigurisë publike, ku do të jemi në shkollën e mesme të qytetit, pikërisht për të parë masat që janë marrë për paketën e sigurisë në shkolla.
Unë besoj, nënprefekte, duke qenë se juve ju kemi mësuese, policia po e bën detyrën e vet këtu për sa i përket paketës së sigurisë. Edhe pse mua më duket si një qytet i vogël edhe këtu ka ekzistuar dhe ekziston shpërndarja e lëndëve narkotike, pranë shkollave, që duhet ta godasim, dhe ndërkohë të gjitha institucionet e tjera duhet të bëjnë detyrën e vet. Për sa i përket kultivimit të lëndëve narkotike, edhe kjo është një fenomen që ka ekzistuar, edhe pse nga ajo që më është raportuar, rezultatet janë të mira dhe shkojnë në të njëjtin trend që kemi në të gjithë vendin. Është shumë e rëndësishme të rrisim prezencën e Policisë së Shtetit edhe sa i përket kontrollit të territorit ose krimeve kundër mjedisit, duke pasur parasysh bukuritë e mëdha natyrore që ka kjo zonë qoftë në pyje, qoftë në lumenj. Prandaj Policia e Shtetit, në bashkëpunim edhe me IKMT dhe IMT Mirditë, të punohet për të mos lejuar asnjë lloj abuzimi apo dëmi që mund t’i shkaktohet natyrës. Duhet një bashkëpunim shumë i fortë edhe me autoritetet vendore. Për këtë qëllim ne do të takohemi sot edhe me kryetarin e bashkisë. Policia e Shtetit do të bashkëpunojë me bashkinë për të investuar në një sistem kamerash në një mënyrë që të sigurojmë në çdo kohë informacion për çdo lloj tentative apo vepre kriminale në mënyrë që të kemi reagim të menjëhershëm. Ne do të kemi një prezencë të shtuar të Policisë së Shtetit në Rrëshen, në mënyrë që t’i përmbahemi këtij angazhimi. Ne do të bashkëpunojmë me të gjithë institucionet, qofshin publike, qofshin këto të shoqërisë civile, të besimit, në mënyrë që të krijojmë një koalicion brenda Mirditës, kundër krimit, kundër edhe fenomenit të gjakmarrjes. Apeli im është që duhet t’ia lënë shtetit të bëjë drejtësinë.
Unë angazhohem para popullit të Mirditës që për gjithçka që nuk është bërë në të kaluarën, ne do t’i marrim një për një të gjitha ngjarjet dhe askush të mos humbë besimin se shteti nuk e bën detyrën e vet. Ditën e parë që kam ardhur si ministër i Brendshëm dhe biseda e parë që kam bërë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, ka qenë pikërisht rikthimi i besimit të njerëzve te Policia e Shtetit. Një prej arsyeve që publiku ka humbur besimin është që ngjarjet kanë ndodhur dhe janë lënë në harresë. Dhe pastaj njerëzit kanë marrë përsipër ta bëjnë vetë drejtësinë. Këtë gjë nuk do ta lëmë të ndodhë më, siç ka ndodhur në këto 30 vite. Prandaj na duhet që për çdo ngjarje të kemi një ekip të veçantë dhe raportim pothuajse, pse jo, të përditshëm te Drejtori i Përgjithshëm, të paktën për Rrëshenin kështu e kemi vendosur, në mënyrë që ne të shkojmë deri te porositësit, organizatorët apo autorët e ngjarjeve kriminale që kanë shqetësuar popullin e Rrëshenit. Dhe kjo duhet të jetë e prerë. E fundit, dua t’ju informoj që bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm, me mbështetjen e Kryeministrit po bëjmë gjithçka për të rritur mbështetjen financiare për Policinë e Shtetit. Shpresoj shumë që me buxhetin e ri të vitit 2024, të mundësojmë një rritje të konsiderueshme të pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit. Jam shumë i bindur që me këtë prezencë të rinjsh në këtë komisariat, me djem e vajza që kanë marrë përsipër, pa i hequr asnjë vlerë atyre që janë pak në moshë, të bëjmë ndryshimin që mezi pret populli i Mirditës. Kushdo nga ju që do ta bëjë detyrën si duhet, të jeni të sigurt që do të marrë vlerësimin tim maksimal. Por kush nga ju do vazhdojë me modelin e vjetër të mbylljes së syrit apo të veshëve, të kthimit të kokës nga krahu tjetër kur në krahun tjetër të rrugës ndodh një problematikë apo shfaqet një ‘i fortë’, duhet ta ndajë mendjen mirë dhe të na japë dorën sot, e të ikë. O do i shkojmë kësaj gjëje bashkë deri në fund, ose kush nuk ka dëshirë, le ta lërë që sot. Sepse një prej shqetësimeve që më kanë shprehur banorët e Rrëshenit është pikërisht fenomeni i familjarizimit. “Jemi të gjithë nga një krahinë, e njohim njëri tjetrin dhe tani nuk veprojmë”. Prandaj kemi marrë një vendim për t’ia besuar forcës kombëtare të sigurisë publike, sa herë të kemi nevojë, çdo zonë ku fenomeni i familjaritetit të punonjësve të Policisë, prish efikasitetin dhe dëmton forcën goditëse të policisë. Deri sa Drejtori i Përgjithshëm ta ketë gati gjithë këtë organizim, ne do të funksionojmë me strukturat aktuale. Në fund të fundit, shefi i ri i Komisariatit, drejtuesit e ri të Komisariatit kanë provën e tyre të zjarrit. Ne nuk do presim gjatë, se ka shumë kohë që pret populli i Rrëshenit. Shumë faleminderit!